Marsi, muaji i angazhimeve të grave dhe vajzave në Lëvizje
Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për mediat për të shënuar fillimin e muajit mars si muajin e angazhimeve, përkushtimeve dhe anëtarësive masive të grave në Lëvizje dhe përmes Lëvizjes në shoqërinë tonë. Në konferencë, përkrah Drejtueseve të Sekretariatit të Gruas nga Qendrat e Lëvizjes në Kosovë, foli Drejtuesja e përgjithshme e sekretariatit të Gruas, Nazlie Bala dhe Drejtuesja e Sekretariati të Gruas në Gjilan Arijeta Rexhepi.
Kosova ka ligje që garantojnë barazinë dhe dënojnë diskriminimin, por gjendja e grave i ngjan më shumë një gjendjeje të jashtëzakonshme sesa një gjendjeje normale ligjore. Ligjet nuk zbatohen jo për fajin e grave, por nga dështim i pushteteve dhe mungesa e brengosjes së tyre për të avancuar pozitën e grave dhe vajzave në shoqëri. Një shtet që nuk i mbron gratë është një shtet i dobët.
Lëvizja i bën thirrje grave dhe vajzave që të afrohen dhe të angazhohen në Lëvizje për ndryshimin e kësaj situate nga vetë gratë.
Aktivistja Nazlie Bala shprehu angazhimin e Lëvizjes për çështjen e gruas përgjatë këtij muaji duke thënë, “marsi shqiptar ka në vete domethënie të shumëfishtë. Demonstrata, protesta, marshe që e karakterizojnë këtë muaj ndër dekada. Marrë parasysh kontributin dhe angazhimin e grave në këto procese, Lëvizja Vetëvendosje dhe gratë që janë pjesë e saj, këtë muaj do të vazhdojnë me aktivitete që nuk ndalen në simbolikën e 8 marsit”.
Angazhimi i përditshëm për të drejtat e grave do të ketë një intensitet dhe dinamikë më të lartë përgjatë marsit me aktivitete të ndryshme si tryeza, vizita, konferenca, e aksione që do të adresojnë gjendjen dhe çështjet të cilat prekin drejtpërdrejt gratë dhe vajzat në Kosovë.
Bashkimi i grave është i domosdoshëm sepse përfshirja e tyre në sferën publike dhe avancimi i politikave feministe janë e vetmja rrugë për ta zgjeruar dhe intensifikuar demokracinë, barazinë dhe lirinë brenda shoqërisë tonë.
Lëvizja dhe Kosova nuk mund te kenë progres pa pjesëmarrjen dhe përfshirjen e grave, ndërsa me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre masive nuk do të jenë më të njëjtat. Nga kjo brengë, dëshirë dhe entuziasëm e shpallim muajin mars, muajin e anëtarësimit të grave dhe vajzave në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Pranvera shqiptare nuk vjen pa pjesëmarrjen e grave dhe vajzave ne Lëvizje, e pranvera vjen duke u bërë bashkë të gjitha ato që refuzojnë të nënshtrohen.