14 03 2019

Tryeza: Edukimi i hershëm i fëmijëve midis shtetit dhe nënës

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për trajtimin e përditshëm të problematikave shoqërore të lidhura me çështjen e gruas.

Përmes Grupit Parlamentar dhe Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezën me temë “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve – Roli shtetëror përballë rolit prindëror” . Në tryezën e diskutimit morën pjesë studiuese dhe pjesëtare të shoqërisë civile. Tryezën e moderoi Aulonë Bytyqi nga Sekretariati i Gruas Aktiviste dhe parashtrimet e para i mbajtën anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtoresha e çerdheve me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës, Anduena Arrni dhe zyrtarja Ligjore nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha.

Edukimi i hershëm i fëmijëve në Kosovë vuan nga numri i vogël i institucioneve publike dhe private parashkollore. Mungon prania e tyre në zonat rurale thuajse plotësisht, ku ndodhet më shumë se 50% e popullsisë së vendit. Vetë kopshtet dhe çerdhet vuajnë nga infrastruktura e dobët dhe e pamjaftueshme, mungesa e investimeve infrastrukturore dhe mungesa e stafit.  Sipas buxhetit aktual dhe parashikimeve të tij nuk duket se do të ketë një vëmendje të veçantë për të,  apo një strategji të posaçme për trajtimin e problemeve të edukimit të hershëm. Po ashtu, prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta e vuajnë akoma edhe më shumë mungesën e parashikimit të një përkujdesjeje për këto kategori.

Shteti e trajton edukimin e fëmijëve parashkollorë si të jetë një çështje private familjare. Në kushtet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qasje në edukimin e hershëm publik, atëherë pesha për edukimin e fëmijëve bie mbi nënat. Kjo peshë u rëndon edhe më tepër grave nga pamjaftueshmëria e kohës për të kërkuar apo punuar ndërkohë. Puna e madhe shtëpiake e grave është një punë pa pagesë dhe një çështje politike e shtypur në diskursin tonë publik. Edukimi i fëmijëve duhet shikuar edhe si çështje e emancipimit të gruas, edhe si e drejtë kushtetuese e çdo fëmije dhe familjeje, edhe si avancim i politikave arsimore shtetërore.

Në përfundim të tryezës u nxorrën edhe konkluzionet e diskutimit si në vijim:

  • Edukimi i hershëm është përgjegjësi e institucioneve të vendit, si për ofrimin e të drejtave të garantuara për secilin fëmijë pa dallim, ashtu edhe për ofrimin e mundësive për gratë dhe nënat e reja për zhvillimin e tyre;
  • Shfrytëzimi i zgjidhjeve alternative si kopshtet në komunitet dhe ndihmat nga organizatat ndërkombëtare duhet organizuar nga institucionet adekuate, sidomos me vëmendje të veçantë për grupet e margjinalizuara në shoqëri;
  • Të ngrihet zëri në vetëdijësimin e vendimmarrësve se çerdhet nuk janë lluks, por domosdoshmëri dhe një e drejtë që i duhet garantuar çdo fëmije dhe familje;
  • Rritja e buxhetit për edukimin në moshë të hershme.

Edukimi i hershëm i fëmijëve duhet të ndahet midis shtetit dhe prindërve, mungesa e madhe e njërit prej tyre e bën këtë edukim gjysmak. Prindërit dhe shteti nuk mund t’i zëvendësojnë rolet e njëri-tjetrit në edukimin e fëmijëve. Nënat nuk munden të mbajnë barrën e mungesës së një shteti dhe barrën e mungesës së babait.

Kontribo