22 03 2019

Partneriteti Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti aktivitet simbolik për të denoncuar edhe një herë punësimet e fundit partiake dhe familjare në institucione publike. Pranë njërit prej filialeve të VALA-s në qendër të qytetit aktivistët e Lëvizjes shkruan parullën Partneriteti ‘Publiko-Partiak: Prona Publike, Punëtorët e Partisë’.

Punësimet partiake dhe familjare në kompanitë publike nuk kanë të ndaluar, vetëm këto ditë kishim qindra sosh nga forcat politike në pushtet. Prej 20 vitesh vazhdon rituali i shfrytëzimit të këtyre kompanive shtetërore për të rehatuar nga pushteti elektoratin e pakënaqur me ekonominë në vend. Këto keqpërdorime janë njëri prej shkaqeve pse ndërmarrjet publike humbin produktivitetin e tyre dhe bëhen gati për t’u privatizuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, deklaratat e fundit të figurave politike nga rradhët e pushtetit, se sikur të mundeshin të gjithë militantët e tyre do t’i punësonin në kompani shtetërore, tregojnë se situata vetëm sa do të përkeqësohet nëse lihet të rrjedhë në këto linja.

Telekomi është rasti më shembullor i degradimit përmes korrupsionit dhe partitizimit të një kompanie publike.

Aktivisti Avni Zogiani i denoncoi këto raste duke thënë, “Që nga Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe deputetë kanë filluar një fushatë masive të punësimit të familjarëve të tyre në kompani publike, sidomos në Telekom, e cila është e vetmja alternativë që japin ata ndaj një situate tepër të rëndë që ekziston në sektorin publik“.

Situata është aq e rëndë sa vetë organet e brendshme të kompanive publike kanë dalur me vendime për ndalimin e punësimeve arbitrare. Po ashtu edhe rezoluta e fundit e votuar në Kuvend për Telekomin bënë thirrje për zgjidhjen e krizës në këtë ndërmarrje, por situata vazhdon të rëndohet. Ky pushtet është aq i dobët sa të vetmen zgjidhje që ofron është normalizimi i këtyre fenomeneve anormale.

Republikës së Kosovë i duhet riorientim i qasjes ndaj pasurisë publike, ndërkohë ndërhyrja për transformimin e situatës me qëllim shpëtimin e kompanive publike nga shkatërrimi dhe privatizimi është i domosdoshëm.

Kontribo