Ligjërata e Kryetarit Albin Kurti në AUK
Me ftesë nga studentët e universitetit amerikan në Kosovë, RIT Kosova, sot Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti mbajti një ligjëratë më temën “Aksioni Kolektiv,” ku më pas edhe u zhvillua një bashkbisedim rreth kësaj teme.
Rëndësia e aksionit kolektiv mund të kuptohet që nga etimologjia e këtyre fjalëve. Fjala “kolektiv” do të thotë të mbledhesh, së bashku, të bashkohesh. E “aksioni” ka të bëj me vënien në lëvizje, me bërjen, me veprimin. Bashkimi i këtyre fjalëve prodhon një sinergji përtej etimologjisë e që merr trajtën e veprimit të dyfishtë: atë të bashkimit për të vepruar dhe atë të veprimit të përbashkët.
Si i tillë, aksioni kolektiv ka dallim edhe nga aksioni individual edhe nga pasitiviteti kolektiv. Një thënie e njohur në shumë vende afrikane thotë: vetëm mund të shkohet më shpejt, por së bashku mund të shkohet më larg. Kështu, aksioni kolektiv prioritizon më shumë largësinë e arritur se sa shpejtësinë në proces, duke i dhënë më shumë rëndësi strategjisë hapësinore sesa taktikës kohore. Dhe, për dallim nga pasitiviteti kolektiv, aksioni kolektiv synon vënien në lëvizje të gjërave, ndryshimet socio-politike, si mundësi historike për progres.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka bërë dallimin në politikë duke insistuar në aksionin kolektiv pjesëmarrës në vend të thjesht përfshirjes individuale nga lart, e cila si e tillë nuk e problematizon pabarazinë. E, të pajtohesh me një aktivitet a aksion është përgjegjësi më e madhe sesa mendimi a qëndrimi që përqafon. Sepse duhet të veprosh edhe vetë pastaj, nga keqardhja a simpatia të kalosh në empati e solidaritet. Kështu filluam ta rikuptimësojmë edhe politikën duke e përcaktuar atë, jo vetëm si përfaqësim e ndërmjetësim, siç ishte deri në vitin 2005, por para së gjithash – si vizion dhe si aksion.