05 04 2019

Dialogu nuk mund të zhvillohet nga institucione pa legjitimitet

Nga tryeza “Kushtetueshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë”

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës organizuan tryezën me temë: “Kushtetueshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë”. Tryeza u hap nga kryetarët e grupeve parlamentare, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti. Të ftuar ishin profesorë, pjesëtarë nga organizata të shoqërisë civile dhe media.

Në panel morën pjesë me diskutimet e tyre Taulant Kryeziu nga Instuti “Epik”, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Dastid Pallaska nga “Pallaska&Associates”.

Pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese nga dy subjektet opozitare, tashmë debatin për kushtetuetshmërinë e procesit të dialogut po e shtrijmë edhe më gjerë me profesionistët e fushës. I ashtuquajturi proces përfundimtar i dialogut ka ndezur një debat me papajtueshmëri të gjerë shoqërore.

Shumë qëndrime të përfaqësuesve politikë në pushtet kanë qenë kundërthënëse dhe konfuze. Paqartësia e krijuar prej mungesës së transparencës, ka bërë që qytetarët ta humbin besimin te kjo mënyrë e të përgatiturit për dialog. Si pasojë ka shqetësim gjithnjë e më të madh për rezultatet, nëse procesi vazhdon në të tilla binarë. Integriteti i Kosovës nuk mund të shtrohet për diskutim dhe negocim, ndërsa dialogu nuk mund të zhvillohet nga institucione pa legjitimitet.

Dialogu vitin e kaluar i ishte dorëzuar Presidentit nga Kryeministri me deklaratën se do të merrej vetëm me punët e shtëpisë. Ndërsa mungesës së legjitimitetit të qeverisë me 52 deputetë, përgjatë rrugës i ka ardhur në ndihmë një grup deputetësh të cilët ia tradhëtuan besimin qytetarëve që i votuan për qëndrime të kundërta. Dialogu për këtë fazë përfundimtare nuk mundet të vazhdojnë në këtë mënyrë, pa legjitimitet dhe me një president tejet problematik. Kjo fazë përfundimtare duhet kthyer në pikën zero për t’u rimenduar me një legjitimitet të ri dhe në binarë kushtetues.

Në përfundim u listuan edhe konkluzat e tryezës:

· Karakteri unitar dhe kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm;

· Nevoja për rilegjitimim të institucioneve;

· Nevoja për konsesnsus të plotë në raport me dialogun pasi i mungon legjitimiteti;

· Projektligji për dialogun bie ndesh me Kushtetutën dhe cënon kompetencat e Kuvendit e të qeverisë;

· Emërimi i përfaqësuesit të shoqërisë civile është pa kritere sipas projektligjit;

· Ky projektligj nuk mund të sjellë konsensus;

· Delegacioni është jokushtetues dhe sillet si institucion paralel kushtetues;

· Presidenti Thaçi nuk ka kredibilitet të udhëheqë dialogun, nuk ka mandat kushtetues dhe as mandat të deleguar nga Kuvendi;

· Gjykata Kushtetuese ka krijuar precedentë të rrezikshëm me heqjen dorë të trajtimit të marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë;

· Nevoja për ekip uniteti dhe strategji konfidenciale në raport me negociatat;

· Nevoja për përfshirjen e Kuvendit që në fazat fillestare dhe bashkrëndimi i institucioneve;

· Transparenca që duhet ta përcjellë procesin;

· Mungesa e konsensusit e ka dëmtuar pozicionin politik të Kosovës;

· Taksa nuk duhet të ndërlidhet me procesin e dialogut;

· Dialogu ka nisur pa parime;

· Bashkëkryesuesit dhe qeveria nuk ka legjitimitet për shkak të mungesës së shumicës.

Dy subjektet opozitare do ta vazhdojnë përpjekjen për ta futur Kosovën brenda binarëve Kushtetues, për t’ia garantuar integritetin territorial dhe për t’i dhënë legjitimitet politik institucioneve të saj.

 

Kontribo