07 04 2019

Ngushëllime për vdekjen e veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e vdekjes së veprimtares, luftëtares dhe zërit të UÇK-së nga Zona Operative e Dukagjinit, Fetnete Ramosajt. Fetnete Ramosaj u nda nga jeta në 5 prill 2019, e sot asaj iu dha lamtumira e fundit.

Fetnete Ramosaj edhe pas luftës vazhdoi aktivizmin e saj patriotik, duke mbledhur fakte të krimeve të bëra nga Serbia dhe duke i botuar bashkë me shkrime e analiza në gazeta të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Fetneten ne listë Lëvizja VETËVENDOSJE! mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet nacionale në vitin 2010. Fjalimet e saja, kritikat e saja ishin porosi për të gjithë pushtetarët kompromisaxhinj që të mos takoheshin me trashëgimtarët politikë të Milosheviqit e Sheshelit pa kërkuar dëmshpërblimin, zbardhjen e krimeve, kthimin e eshtrave të të vrarëve shqiptarë. Kërkesat e saja nëpërmes shkrimeve e botimeve qëndrojnë edhe sot kur ajo nuk është më në mesin tonë. Lavdi jetës dhe veprës së veteranes së UÇK-së Fetnete Ramosajt, ngushëllime familjes dhe bashkëveprimtarëve.

Libri i Fetnete Ramosajt “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999)”, i cili u botua në vitin 2019, përmban dokumente e dëshmi të dorës së parë, përfshirë edhe disa intervista të përgjegjësve të luftës për Zonën Operative të Dukagjinit. Libri është i ilustruar më fotografi dhe dokumente autentike. Ky libër mbetet si kontributi i fundit i një njeriu me plot dinjitet, i një gruaje të fortë, i luftëtares për atdhe, dhe i idealistes, Fetnete Ramosaj.

Kontribo