11 vite nga miratimi i Kushtetutës, 11 vite shkelje e të Drejtave Kushtetuese
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media me rastin e 11 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe cënimeve që i janë bërë prej asaj dite. Në konferencë folën nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi dhe deputetja Albulena Haxhiu.
Kushtetuta e Kosovës u miratua pas çlirimit të vendit dhe Shpalljes së Pavarësisë dhe është e dyta pas asaj të Kaçanikut. Edhe pse me probleme të shumta në lidhje me kufizimin e vullnetit të popullit përmes ndalimit të referendumit, Kushtetuta gjithsesi i garanton një sërë të drejtash të lidhura drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve.
Institucionet e vendit tonë, sidomos pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor, nuk kanë qëndruar në lartësinë e garantimit të këtyre të drejtave, por i kanë sabotuar vazhdimisht përmes kapjes së shtetit dhe orientimit të tij të gabuar politik.
Deputetja Haxhiu u shpreh duke thënë, “askush nuk e ka besuar që 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetarë e qytetare e Republikës së Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore, as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as shëndetin, as arsimin, as jetën”.
E drejta e punës është e garantuar, mirëpo Kosova përballet me papunësi të madhe, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Qytetarët kanë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm, mirëpo ankesat për gjykime të padrejta dhe për dënime pa bazë po shtohen çdo vit.
Pushtetarët i kemi të pabarabartë para ligjit në raport me qytetarët dhe nuk i kemi të nënshtruar ndaj kontrollit të parlamentit. Nga kapja që i kanë bërë shtetit dhe ekonomisë është rritur pabarazia në vend.
Rritjen e pabarazisë nënkryetari Bislimi e denoncoi duke thënë se, “Sot në sistemin bankar të Kosovës, më pak se 900 qytetarë të Kosovës, apo më pak se 0.05 përqind e popullatës sonë mbajnë mbi 15% të depozitave, duke mbajtur mesatarisht nga 350.000 euro kursime. Pra 5% e shtresës së pasur kanë mbi 85% të kursimeve në vend. Dhe natyrisht se kjo pakicë nuk mund t’i kuptojë ata të rinj e të reja që përditë kërkojnë mundësi për të ikur nga vendi në kërkim të çfarëdo mundësie për të gjetur një vend pune”.
Me Kushtetutën tonë shteti duhet ta garantojë në çdo kohë dhe kudo mbështetjen dhe mbrojtje për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, por ky pushtet nuk po ia lejon zbatimin e Kushtetutës shtetit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës më së shumti po shkelet nga ata që ajo i definon si mbrojtësit kryesor të saj.