25 04 2019

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal për Thaçin e Veselin, për dëshmi të rrejshme nën betim

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Glauk Konjufca dorëzuan sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kallzim penal për dëshmi të rrejshme nën betim ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ndaj Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018 në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës organizata Syri i Popullit, ku kanë deklaruar se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.

“Këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzore dhe këta jo që nuk e mbrojnë Republikën, por Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve të cilët shpifin nën betim”, deklaroi për mediat Kryetari Kurti.

Ndërsa deputeti Konjufca e lidhi dëshminë e rreme të dy krerëve të institucioneve me sulmin e vazhdueshëm ndaj Lëvizjes, “një tendencë politikë e qartë që përmes kontrollimit të drejtësisë të luftohet Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne këtë e kualifikojmë si përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë Albini dhe unë, padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit. Pra, Presidenti në deklarimin e tij gjatë dëshmisë ka thënë që, dhe i ka urdhëruar gjykatën faktikisht, që të zgjerohet akuza në drejtim të Albinit dhe meje”.

Arsyeja e dorëzimit të kallzimit u përforcua edhe nga Kryetari Kurti edhe deputeti Konjufca se Lëvizja nuk resht kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi në tërësi është i kapur.

Kontribo