14 05 2019

Takim me delegacionin e Lutjeve të Mëngjesit

Mbrëmë, në Selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti dhe Nënkryetari Besnik Bislimi bashkë me deputetet, Fitore Pacolli dhe Saranda Bogujevci, pritën në takim delegacionin e Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë delegacion të shoqëruar nga z. Ahmet Shala dhe z. Visar Azemi ishte kongresmeni z. Randy Hultgren së bashku me z. Michael Stoltzfus, z. Todd Hendricks, z. Kent Ford. Gjithashtu të panishëm ishin edhe përfaqësuesit e orgaizatës “Kosovo Hope”, z. John Walden dhe z. Berat Gegaj.

Në këtë takim miqësor u bisedua për sfidat që po kalon Kosova 20 vjet pas përfundimit të luftës, si mungesa e një sistemi të pavarur të drejtësisë që do të trajtonte krimet e luftës dhe korrupsionin e paqes, gjendja e rëndë socio-ekonomike me nivelin e lartë të papunësisë në veçanti tek të rinjtë dhe gratë etj. Kryetari Kurti iu shprehu mirëseardhje mysafirëve dhe theksoi se është shumë mirë që jeni bashkë me ne në këtë kohë, në 20 vjetorin e masakrave të luftës së fundit. Ai shtoi se janë afër 400 masakra me mbi 10 mijë civilë të vrarë, 20.000 gra të dhunuara e mbi 1650 të zhdukur vetëm nga lufta e fundit.

Nënkryetari Besnik Bislimi shpjegoi situatën ekonomike dhe vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë bizneset vendëse duke thekuar se për të ndryshuar këtë gjendje të rëndë duhet të bëjmë ndryshim të shpejtë dhe rrënjësor. Deputetja Saranda Bogujevci ndau me kongresmenët amerikanë atë çfarë ajo kishte përjetuar gjatë luftës dhe rrugëtimin e saj për drejtësi me gatishmërinë e saj për të kontribuar në luftën për drejtësi për viktimat e luftës.

Delegacioni amerikan shprehi keqardhjen për vuajtjet dhe humbjet si dhe solidaritetin e tyre për të gjitha viktimat duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë afër dhe do të ndihmojnë shtetin e Kosovës edhe në të ardhmen.

Të gjithë u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe mundësitë për të intensifikuar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta.

Kontribo