Takim me përfaqësuesit rajonal të Fondacionit Westminster për Demokraci
Sot, në zyrat qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, ish Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, bashkë me Sekretarin e ri për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, pritën në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), Emil Atanasovski, menaxherin e projekteve për Ballkanin Perëndimor të WFD, Rob van Leeuwen dhe përfaqësuesin e WFD në Kosovë, Fitim Mulollin.
Në këtë takim u diskutua për problemet kryesore me të cilat po përballet aktualisht Kosova. Përfaqësuesit e Lëvizjes prezantuan analizën e tyre mbi degradimin e insitucioneve shtetërore në Kosovë dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Më tej ata shpjeguan edhe qëndrimet e Lëvizjes në lidhje me dialogun asimetrik dhe jodemokratik të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, si dhe për alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me këtë dialog. Aty u diskutua edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, veçanërisht tek moshat e reja. Gjithashtu, përfaqësuesit e WFD u njoftuan edhe me aktivitetet e fundit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në kundërshtim të korrupsionit të qeverisë aktuale, nëpërmjet fushatës Kundër “PANhajnisë”.
Përfaqësuesit e WFD prezantuan projektet e tyre, të cilat janë duke i realizuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Palët e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes WFD dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe u pajtuan për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.