17 05 2019

Ndryshimet politike janë kusht për luftimin e korrupsionit me profil të lartë

Korrupsioni mirëmbahet nga prokuroria dhe gjyqësori për sa kohë nuk ka asnjë profil të lartë të dënuar përfundimisht.

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi në ambientet e Kuvendit të Kosovës tryezë mbi korrupsionin e profilit të lartë. Në tryezën e moderuar nga deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu parashtrimet hapëse i mbajtën Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Berat Thaqi nga Instituti GAP dhe Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK. Në diskutim morën pjesë shumë deputetë të opozitës dhe organizata joqeveritare.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar është kthyer në problemin kryesor në Kosovë në kushtet kur nuk qeveriset me një  projekt zhvillimor. Projektet e mëdha publike përdoren jo për zhvillim, por për të zhvatur paratë e tyre. Me gjithë skandalet e shumta, akoma nuk kemi asnjë dënim përfundimtar për rastet e korrupsionit të profilit të lartë.

Akt-akuzat që ngrihen përgjithësisht bazohen në axhenda partiake apo në grupe të tjera të interesit brenda policisë dhe gjykatave. Shumica janë ngritur për shkelje administrative dhe jo për korrupsion. Dosjet e tyre kanë gjysmë-prova dhe gjysmë-të-vërteta. Aktakuzat e shumta të prokurorisë speciale që rrëzohen që në seancën fillestare tregojnë se ato ngrihen qëllimisht për të dështuar.

Rrëzimi i akt-akuzës së prokurorit Blakaj për listat e rreme të veteranëve dhe fakti se kryeprokurori i Kosovës ka ardhur në detyrë falë aferës Pronto tregojnë se puna e prokurorisë sabotohet nga brenda. Madje, kryeprokurori Lumezi ka shkuar edhe më tutje duke e centralizuar prokurorinë deri në pikën sa çdo procedim për korrupsion në nivele të larta duhet paraprakisht të miratohet prej tij.

Për të ndërhyrë në këtë situatë në tryezë dolën rekomandimet e mëposhtme:

  • Për të ndryshuar gjendjen e drejtësisë është i domosdoshëm ndryshimi politik i qeverisë;
  • Kërkohet vetting në gjyqësor dhe në prokurori;
  • Kryeprokurori duhet të jetë politik që të mbajë përgjegjësi për mosveprim;
  • Nevojitet ligji antimafia;
  • Duhet themeluar një prokurori speciale për krimin e organizuar dhe korrupsionin;
  • Buxheti duhet proceduar në Kuvend 3 muaj më herët që të rritet transparenca;
  • Prokurorët e gjyqtarët duhen mbrojtur për çështje kur u rrezikohet jeta dhe jo të kërcënohen nga instancat shtetërore;
  • Duhen rritur kapacitetet financiare dhe njerëzore për hetimin dhe gjykimin e korrupsionit në nivele të larta.

Lëvizja do ta vazhdojë përpjekjen për të ngritur një front të përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me të gjithë ekspertizën e nevojshme dhe me të gjithë forcën politike për t’i dalë ballë atij.

Kontribo