VETËVENDOSJE! mbështet kandidatët shqiptarë në forcat socialdemokrate për zgjedhjet evropiane
Të dashur miq dhe mbështetës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që jetoni në vendet e Bashkimit Evropian dhe që keni të drejtë votimi në ato vende.
Prej datës 23 deri në 26 maj në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Në këto zgjedhje, Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje të mbështeten ata dhjetëra kandidatë me origjinë shqiptare të cilët janë në listat e partive social-demokrate, të majta e progresive. Rritja e së djathtës ksenofobe e raciste, nxitja e frikës dhe e urrejtjes ndaj emigrantëve, këndvështrimi mbi kulturën e fenë si terrene të përplasjes e të luftës, janë fenomene që duhet të na shqetësojnë. Po ashtu, është shumë shqetësuese edhe indiferenca ndaj problemeve të mëdha ekonomike e strukturore që i shkaktoi neoliberalizmi.
Andaj shpresojmë që në sesionin e ardhshëm të Parlamentit Evropian të shohim sa më shumë shqiptarë që ngrenë aty çështje me rëndësi për kontinentin e për kombin tonë, duke filluar që nga trajtimi i barabartë i shqiptarëve si individë e si shtete, avancimi demokratik e dekolonizues i të drejtës sonë për Bashkim Kombëtar, lufta kundër papunësisë, ruajtja e mjedisit, e deri te ndihma e bashkëpunimi evropian, i nevojshme për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e demokratik në vendet tona.