AFERA Spitali – manipulimi me vendimet e Hashim Thaçit
Mediat po vijojnë përditë me publikimin e skandaleve nga “Afera Spitali” ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës. Ky është një nga skandalet më të mëdhenj në sistemin e shëndetësisë dhe i përfshin zyrtarët më të lartë dhe klientët e tyre të afërt.
Përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që nga viti 2014 e deri sot, në vijimësi, jemi angazhuar dhe kemi qenë kundër ndërtimit dhe funksionalizimit të spitalit privat brenda hapesirës së QKUK-së.
Nga të dhënat mbi këtë rast ne patëm konkluduar se spitali privat i përgjithshëm ishte dhe ende është i kundërligjshëm, i panevojshëm me qenë aty, dhe si i tillë pengon punën në shërbimin publik, pra në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Ky rast prej fillimit dallohej qartë se përmbante elementë të korrupsionit. Ndaj për këtë ne e kemi denoncuar pa reshtur.
Në mesin e skandaleve lidhur me këtë rast Ministri Ismaili në konferencën e para dy ditëve, u mundua që ta shfajësojë PDK-në dhe ta zhvendosë fajin diku tjetër, duke fshehur vendimin kryesor të marrë nga ish-Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e 70-të qeverisë, me numër 08/70, më 25 qershor 2009, vendim që i hapi rrugën ndërtimit, ndryshimeve ligjore dhe funksionalizmit të spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.
Pak kohë pas konferencës për media të Ministrit të Shëndetësisë, përmes një portali të afërm me pushtetin, krahas fjalës së ministrit u publikuan vendimet dhe mes tyre një vendim i falsifikuar që përmban numrin e njëjtë të protokollit, të njëjtën datë të lëshimit, që thirret në të njëjten mbledhje të Qeverisë por që ka përmbajtje krejt të kundërt – pra jo të lejimit por të “respektimit të vendimeve të mëparshme të qeverisë” që ndalonin ndërtimin e spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.
Në këto kushte ish-Kryeministri Hashim Thaçi duhet të dëshmojë se cili nga këto vendime për spitalin privat është i saktë dhe cili është i falsifikuar. Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, meqenëse e ka edhe obligim ligjor, duhet të bëjë publik transkriptin dhe vendimin e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më datën 25.06.2009. Po ashtu, ta publikojë vendimin në fjalë meqë nga faqja zyrtare e Kryeministrit është eleminuar ky dokument.
Prokuroria e shtetit duhet të hapë në mënyrë urgjente hetimet rreth këtyre vendimeve të ish-Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi dhe të mos zmbrapset nga hetimet rreth skandalit të fajdeve dhe videoincizimeve ku permenden disa zyrtarë të PDK-së duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli ka përgjegjësinë e plotë që spitalin privat, qartazi produkt të krimit të organizuar, ta largojë nga mjediset e QKUK-së. Kjo duhet pasuar edhe me ngritjen e kallzimit penal për të gjithë që të janë përfshirë, dhe thellimin e hetimit edhe për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aferë, pavarësisht nëse kanë pasur poste zyrtare apo jo. Këtu duhet përfshirë edhe kryeministri i atëhershëm z. Thaçi, si një nga protagonistët, të cilin çuditërisht ministri harroi ta përmend në arsyetimin e tij.
Ministri i Shëndetësisë, por edhe Kryetari i Komunës, kanë tani përgjegjësi ligjore të marrin vendime kundrejt kësaj padrejtësie që i është bërë publikut, QKUK-së dhe shëndetësisë në Kosovës. Çdo vazhdim më tej është në dëm të pronës publike të qytetarëve të komunës së Prishtinës, pa llogaritur këtu edhe të gjitha dëmet e tjera që janë të lidhura me këtë aferë. Mosveprimi edhe më tej i tyre në këtë rast është në fakt lëndë për prokurorinë.
Ne e dimë saktë se ky vullnet nuk ka ekzistuar, dhe arsyeja e vetme për të cilën është aktualizuar ky problem nga Ministri i Shëndetësisë, ka qëllimin për ta mbuluar disi aferën e fundit me videot e dala në publik për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, ku një grup personash pretendojnë se i kanë dhënë atij dhe bashkëpartiakëve të tij rryshfet.
Të gjitha këto argumentime dhe dokumentet lidhur me këtë rast u paraqitën në konferencën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi prof. Jusuf Ulaj, dhe anëtari i Komitetit e Kryetari i Qendrës së Prishtinës, Dr. Arben Vitia.
Në ditën në vijim do të vazhdojmë me adresimin e kësaj çështje tepër të rëndësishme.