Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës: Asambleistët e munguar duhen zëvendësuar
Sot, asambleistët e Lëvizjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leonora Shabani-Bajraktari e Mirsad Vitia deponuan në zyret e Komunës kërkesën për zëvendësim të asambleistëve Visare Gorani e Uran Ismaili, për shkak të mungesave të tyre për më shumë se tre muaj në mbledhjet e K.K. Prishtinë.
Me këtë rast, asambleisti Mirsad Vitia u deklarua:
Më 28 mars 2019, në mbledhjen e 3-të të Kuvendit Komunal të Prishtinës, grupi jonë i Lëvizjes VETEVENDOSJE! kemi ngritur shqetësimin tonë lidhur me mungesat e vazhdueshme të asambleistëve nga rradhët e PSD-së, znj.Visare Gorani dhe PDK-së, z.Uran Ismajli, njëherit edhe Ministër i Shëndetësisë. Fatkeqësisht, deri tani nuk kemi parë asnjë hap konkret nga kryesuesi i KK-Prishtinë, z. Agim Kuleta, sa i përket kësaj cështjeje.
Prandaj ne sot edhe zyrtarisht i dorëzuam atij – Lëndën: “Kërkesë për inicimin e procedurës për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, znj.Visare Gorani & z.Uran Ismajli”. Kjo sepse, edhe përkundër faktit që ne vazhdimisht kemi kërkuar nga ai që arsyet e mungesave të tyre të bëhen publike, ai kategorikisht ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.
Ritheksojmë se anëtarëve në fjalë ju ka pushuar mandati sipas “fuqisë ligjore”. Pra, sipas legjislacionit në fuqi, me mungesën e tyre prej 3 muaj rresht pa arsye, automatikisht ju pushon mandati si anëtarë të Kuvendit Komunal. Kjo do të thotë se detyrimi ligjor i kryesuesit të Kuvendit tashmë është krejt formal. Ai është i detyruar që të bëjë zëvendësimin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.
Pra, legjislacioni është zbatuar automatikisht për sa i përket pushimit të mandatit të anëtarëve në fjalë, ndërsa nuk është përmbushur zbatimi i zëvendësimit të tyre me anëtarë të rinj sipas legjislacionit të pushtetit lokal.
Gjithashtu, potencojmë se çdo pagesë mujore në formë të kompensimit apo në ndonjë formë tjetër që u është bërë atyre pas mungesës së tyre në mbledhje të Kuvendit Komunal pas afatit tre mujor, do të thotë shkelje e legjislacionit penal.
Andaj, kërkojmë nga kryesuesi Kuleta, që këtë detyrë të tij ta filloj sa më shpejtë të jetë e mundur në mënyrë që qytetarët e Prishtinës të kenë përfaqësues legjitim dhe të ndërgjegjshëm ndaj besimit që u është dhënë.