03 06 2019

Kosova larg BE-së : Shumë korrupsion e pa zhvillim ekonomik

Raporti i BE-së për Kosovën edhe për vitin 2019 theksoi se korrupsioni në Kosovë është i përhapur gjithandej dhe paraqet nivel shqetësues. Kosova vazhdon të jetë ekonomia më e varfër edhe në raport me vendet e rajonit. Sa i përket integrimit evropian, ky raport tregon se mungon vullneti politik për ecjen përpara me politikat dhe reformat integruese.

Këto problematika dhe zgjidhja për të nxjerrë vendin nga këto probleme që kanë ngulfatur drejtësinë e zhvillimin, barazinë e mirëqenien u prezentuan sot nga deputetja e Lëvizjes, Fitore Pacolli dhe anëtari i Komitetit për politika financiare dhe tregtare, Edison Jakurti.

Madhësia e qeverisë, numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe efikasitetin e punës së qeverisë. Administrata vazhdon të përdoret si pronë private për interesa të militantëve partiakë e familjarëve, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Raporti e konsideron tejet shqetësuese ndikimin politik në rekrutimin e pozitave të larta të shërbimit civil dhe rekrutimet pa merita.

Raporti kritikon sistemin e drejtësisë kur potencon se deri më sot ka vetëm 51 raste të regjistruara. Vetëm 38 aktakuza, 27 raste të lidhura me korrupsion dhe 11 të lidhura me krimin e organizuar. Vetëm në 9 raste ka patur një vendim përfundimtar, 5 kanë përfunduar me një vendim (pjesërisht) fajtor, ëqë do të thotë vetëm 9 individë të dënuar për korrupsion. Ndërkaq konfiskimi i pasurisë ka rënë nga 700.000 euro sa ishte në vitin 2017 në vetëm 49.394 euro për vitin 2018.

Po ashtu Raporti thekson edhe shkeljet e të drejtave të njeriut me theks të veçantë dëbimin e 6 shtetasve turq dhe kërcënimet ndaj gazetarëve çka paraqet kërcënim për lirinë e shprehjes në Kosovë.

Zbatimi i Ligjit për barazi gjinore ka mbetur prapa dhe Kosova ende nuk ka miratuar Programin për Barazi Gjinore. Gratë vazhdojnë të mbesin jashtë përfshirjes së barabartë në vendim-marrje. Kosova ka pasur rritje reale ekonomike prej 3.9%, por në të njëjtën kohë në raport theksohet se Kosova ka nivelin më të ulët në rajon të bruto produktit vendor për kokë banori. 1 qytetar i Kosovës ka mesatarisht pak më shumë se ¼ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të BE-së dhe pak më pak se ¾ e mesatares së të ardhurave të një qytetari të rajonit. Kjo rritje vjen vetëm për shkak të remitancave të mërgatës e cila në vitin 2018 ishin mbi 800 milionë.

Ndërkaq sa i përket ekonomisë përbrenda vendit Kosova ka edhe mungesë të prodhimit edhe mungesë të punësimit, teksa normat e interesit të bankave vazhdojnë të rriten.

Deficiti tregtar në mallra për vitin 2018 ishte për gati 5 pikë përqindje më i lartë se në 2017-ën, duke arritur afër 3 miliardë euro. Pra, dallimi mes importeve dhe eksporteve në mallra është përafërsisht sa 43% e bruto produktit vendor/ekonomisë tonë. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, kryesisht të importuara, ishte një ndër arsyet kryesore për inflacionin e 2018-ës. E investimet e huaja direkte në vitin 2018 ishin për 16% apo rreth 42 milionë euro më pak se në vitin 2017.

Sa i përket papunësisë, rreth 12 mijë persona më pak të punësuar në krahasim me 2017-ën. Kosova ka nivelin e bruto produktit vendor për kokë banori më të ultin në rajon, Qeveria nuk ka as strategji as koherencë për subvencionimin e ndërmarrjeve publike.

Nga kjo gjendje që të gjithë qytetarët e ndjejnë dhe e jetojnë, por të cilën e përshkruan edhe raporti mund të dilet me një qeveri të re dhe progresiste, që lufton krimin e korrupsioni e çkap shtetin. Qeverisja e re duhet të bëjë ndryshim paradigmatik të ekonomisë, ku: ndalet e hetohet privatizimi, ku Fondi Sovran koordinon ndërmarrjet publike, Banka Zhvillimore financon projekte kapitale me synim punësimin, Banka Qendrore riorganizon dhe rregullon sektorin financiar, ristrukturohen skemat tatimore, ristrukturohen programet për mbrojtje sociale, rimëkëmbet Trepça, rimendohet energjia dhe ruhet ambienti.

Kontribo