Raporti i Komisionit Evropian – Kosova pa sigurime shëndetësore dhe pa mbrojtje sociale për të rrezikuarit
Komisioni Evropian në raportin e vitit 2019 e cilëson Kosovën vend i cili nuk i garanton plotësisht as shërbimet bazike shëndetësore dhe as mbrojtjen sociale për qytetarët. Ka një dallim të madh mes ligjeve të Kosovës, dhe sasisë në të cilën ligjet zbatohen.
Raporti përmend atë që e dimë të gjithë: vdekjet në vendin e punës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Të drejtat e fëmijëve shkelen shpesh, pasi edhe pse ligji e ndalon punësimin e fëmijëve, 10% e fëmijëve punojnë, madje 6.8% punojnë në kushte të rrezikshme. Skemat sociale janë të fryra, njerëz që nuk kanë nevojë marrin ndihmë sociale, ndërsa shumë familje në nevojë nuk marrin ndihmën e duhur. E sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor, përmes të cilit do të mblidheshin të dhënat e detajuara për pacientët, realizimi i tij është penguar nga vetë Ministria e Shëndetësisë.
Nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku përmendi pasojat e kësaj gjendjeje në shëndetësi, ku 40% e kostos së shërbimeve shëndetësore mbulohet me para nga xhepat e pacientëve. Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e organizatës Eurotransplant dhe nuk i garanton transplantet për qytetarët e saj.
Sa i përket të drejtave të njeriut, deputetja e Lëvizjes, Saranda Bogujevci tha se mungon vullneti institucional për zbatimin e legjislacionit në fuqi, ku raporti konstaton, ndër të tjera, se:
– Dhuna në familje mbetet shqetësim i madh, me numër të lartë të grave të vrara dhe të keqtrajtuara, si dhe të fëmijëve;
– Çeshtja e strehimoreve nuk po zgjidhet sepse qeveria po refuzon të sigurojë financim të qendrueshëm. Strehimoret mbeten të varura prej vullnetit të subvencionimit. Gjithashtu, nuk ka mekanizma brenda institucioneve që monitorojnë gjendjen e strehimoreve;
– Dënimet janë shumë të ulëta për veprat penale, shpesh ato janë të vonuara në kohë, dhe shumë prej tyre nuk janë të formës së prerë.
Ende mbetet shqetësim mosmiratimi i projektligjit për të drejtat e fëmijëve dhe mungesa e fondeve për shërbime sociale për ta. E njëjta gjendje është edhe me personat me aftësi të kufizuara. Sa i takon minoriteteve dhe integrimit të komuniteteve të tjera, mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me ta shpërfaq faktin se mungesa e të drejtave dhe të integrimit të tyre nuk janë shqetësuese për qeverinë tonë. Prioritet i kësaj qeverie, ashtu si dhe më herët, mbetet asfalti dhe shpenzimet e luksit. Që të ndryshojë Raporti i Komisionit Evropian për ne, dhe që të përmirësohet marrëdhënia jonë me BE-në, duhet së pari ta ndryshojmë qeverinë dhe t´i largojmë pushtetarët me mentalitet korruptiv.