08 08 2019

Dështimet e  ish Ministrave të Punës dhe Shëndetësisë në kurriz të punëtorëve e pacientëve

Në konferencën e sotme për media, Nënkryetarja, dr.Fatmire Kollçaku, ngushëlloi familjen dhe miqtë e gruas së vrarë në Prizren si dhe u shpreh se shoqëria jonë, e ka emergjencën që t’u thotë vendosmërisht jo dhunës ndaj grave. Hezitimet e shpeshta të sistemit të drejtësisë e sigurisë në vend për paralajmërimet e dhunës, relativizimi së kudo ndodhkan krime të tilla vetëm sa do ta shtojnë numrin e viktima. Duhet të jemi të pakompromistë në këtë drejtim. Edhe do të jemi të tillë.

Më tej Dr.Kollçaku, vijoi me çështjen e punëtorëve të Kosovës dhe pacientëve është prej disa vitesh duke u rënduar.

Bilanci i punës së një Qeverie bëhet nga këndëveshtrimi i qytetarëve, nëse i ka sjellë ndryshim cilësor në mirëqenien e tyre. Ministritë e Punës, Mirëqenies sociale dhe Ministria e Shëndetësisë këto dy vite qeverisje i patën si këto 20 vite. Por me dëm më të madh. Ngase padrejtësia tek punëtorët tanë dhe tek pacientët ka mbërritur kulmin.

Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Premtuan se do të bënin ligjin e ri të punës. Sipas tyre më të mirë e më të përshtatshëm. As nuk e hartuan të tillë e as nuk mbërritën ta finalizonin. Premtuan se do të rrisnin punësimin me programet e Minsitrisë së Punës, dështuan. Vitin që lamë pas në Kosovë janë 17 mijë vende pune më pak. Premtuan se do të bënin ligjin e veçantë për pushimin e Lehonisë, dështuan. E hoqën atë dhe nga Projekti i Ligjit të punës, gjë e papranueshme. Premtuan se do të rrisnin pagën minimale, dështuan. Askund nuk duket në horizont puna dhe vendimarrja e Këshillit Social Ekonomik, e as dëshmia e vullnetit politik në këtë drejtim. Premtuan se do të marrin masa për sigurinë dhe shëndetin në punë. Dështuan. Inspektoriati i punës është shumë larg standarteve për mbrojtjen e punëtorëve. Nuk ka ditë që nuk njoftohet për lëndimin apo edhe për humbjen e jetës së dikujt. Premtuan reformë të sistemit pensional, dështuan plotësisht. Asnjë lëvizje në atë drejtim. Premtuan buxhetimin e qëndrueshëm të strehimoreve për gratë, dështuan. Në fakt mashtruan. Premtuan se do të buxhetonin shtesat për fëmijët. Dështuan. Asnjë cent nuk ndanë për këtë vit e për vitet në vijim.

Punëtoret në industrinë e shërbimeve dhe punëtorët në ndërtimtari, paguhen shumë pak e punojnë me orare të zgjatura, pa pushime të plota vjetore, pa sigurime shëndetësore, pa 2 ditë në javë pushim, e edhe pa kontratë.

Sot një grua që punon në sektorin e vetshërbimit paguhet 190 euro. Asaj nuk i lejohet të qëndrojë e ulur teksa i shërben klientëve. Ajo nuk i ka 2 ditët e pushimit në javë. Dhe turnet e pasdites e të mbrëmjes janë sipas diktatit të menaxhmentit.

“Puna provuese”, ose punëtorët e heshtur. Shfrytëzimi arbitrar i punës së të rinjve tanë, po stërzgjatet e nuk po njihet si përvojë pune. Nuk ka provë në punë që duhet të zgjasë më shume se 1-3 muaj. Në Kosovë mbetesh në punë provuese mbase me vite të tëra. Diku 4 muaj, diku gjashtë muaj. Ka të rinj që po i bëjnë tre vite punë e ende nuk e kanë marrë një kontratë pune. Këtë më së miri e kuptoni ju gazetarët e rinj. Asnjë veprim se ndërrmori ish Ministri për punëtorët e heshtur, për të rinjtë tanë.

Ministria e Shëndetësisë është një prej dështimeve më të mëdha të ish Qeverisë. Së bashku me Ministrinë e Punës ata janë përgjegjës drejtëpërdrejtë për cilësinë e jetës në këtë vend.

Roli i Ministrisë është drejtimi dhe hartimi i politikave që adresojnë krizën në shëndetësi. Por a e dini sa Projektligje të reja i ka sjellë gjatë dy viteve të PANQeverisë ish Ministri i Shëndetësisë? 1, për të mos zero, sepse Ligji për transfuzionin e gjakut ishte nga mandate i kaluar dhe ishte i gatshëm.

Thanë do ta bëjnë fondin e sigurimeve shëndetësore para se të bëhet protokollet e sistemi informative. Dështuan. Ngase as nuk bëhet dot ashtu, e as nuk dinin çka po deklaronin. Sot ne jemi pa sigurime shëndetësorë. 20 vite nga çlirimi.

Thanë do ta rishikojnë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, dështuan. Thanë do të rishikojnë Ligjin për Shëndetësinë, dështuan. Thanë do ta finalizojnë listën esenciale të barnave, e mbyllën mandatin pa e nënshkuar ata listë. Lista esenciale e barnave gjendet në konsultim publik aktualisht, e kjo qeveri e rrëzuar nuk ka mandat më ta zyrtarizojë.

Kosova nuk ka ligj për transplantin e organeve. Shkenca e teknologjia në mjekësi kanë përparuar kaq shumë por pacientët tanë nuk e kanë të drejtën të transplantojnë qoftë edhe një veshkë në Qendrën tonë Klinike Universitare. E vendet fqinje me ne, bëjnë transplantet edhe në Spitalet rajonale, se për atë qendrore as nuk diskutohet.

Pra, dy ish ministrat dhe Qeveria në tërësi shkoi pa i përmbush zotimet kryesore që ata vet paraqitën gjatë mandatit. Sa nga padija aq dhe nga pangopësia. Çdo premtin i ri elektoral i tyre duhet matuar me çka ata tashmë e kanë dështuar.

Lajmi i vetëm i mirë në këto dy sektorë është se qeveria u rrëzua. Dhe së shpejti do ta kemi dhe datën e zgjedhjeve. Qofshin këto ditët e fundit kur punëtorët e pacientët e Kosovës gjenden të braktisur nga shteti i tyre.

Kontribo