14 08 2019

Hidrocentralet në Shtërpcë, Deçan dhe Mitrovicë – kush po fiton nga degradimi i lumenjve?

Sot deputeti Liburn Aliu paraqiti sërish problemet që po vijojnë me degradimin e pellgjeve lumore në kurriz të banorëve e balancit ujor.

Aliu vërejti se me rënien e qeverisë është krijuar përshtypja e rrejshme e qetësisë nëpër institucione. Vëmendja mediatike është drejtuar kah deklarimet para elektorale teksa disa mekanizma po funksionojnë me zell të madh në degradimin e ambientit, konkretisht lumenjve. “Dje pata rastin të jem në vizitë në Shtërpcë, sërish në vizitë për punimet rreth hidrocentraleve që po ndërtohen atje, punë këto që qytetarët atje po i kundërshtojnë tash e sa kohë. Kundërshtimi i tyre i pandërprerë dhe i drejtë ka bërë që të rritet një sensibilizimi edhe në shoqërinë civile” – tha Aliu.

Për çështjen e hidrocentraleve të reja kudo në Kosovë deri më tani është protestuar dhe ka pasë edhe raportime në komisionet parlamentare. Punimet në hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza ujore dhe mjedisore.

Para një muaji Avokatit i popullit ka paraqitur kërkesë për masë të përkohshme në punimet ndërtimore në hidrocentrale, kërkesë kjo që deri më tani është pa përgjigje. Ministria e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor arsyetohet se nuk ka mandat të marre vendime për shkak se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata kushtetuese. Në ndërkohë që dikasteret e tjera apo edhe i njëjti kur bëhet fjalë për dhënie të lejeve funksionon shumë mirë. Këta po gjejnë lloj-lloj arsyetimi banal dhe cinik kur bëhet fjalë për të ndaluar diçka të keqe në këtë vend. Në ndërkohë që në ministri përpiqen të arsyetojnë heshtjen, në terren vazhdojnë punimet.

Në Shtërpcë dhe Biti po vazhdon të punohet që të fusin plotësisht lumenjtë në gyp. Lepenci dhe lumenjtë e vegjël Kallugjer dhe Bolovan janë jetë për banoret atje dhe ata kanë të drejtë në kërkesën e tyre. Ata janë të mbështetur për muri pasi i vetmi ujë qa u kalon pranë po u merret.

Sasia e ujit në këta lumenj është e vogël, ajo rritet vetëm në muajt e shkrirjes së borës, ajo shërben për pije dhe për ujitje për qytetarët atje. Ata kanë fermat e tyre, kopshtet dhe plantazhet e mbjella me mjedra dhe pemë tjera, qe varen drejtpërdrejtë nga ai ujë. Në ata lumenj ka edhe troftë dhe ai ujë e mban gjallë tërë ekosistemin përreth. Është e pakuptimtë se cila mendje ka marrë atë vendim për ti futë në gyp ata lumenj. Nuk mund të besojmë që ka ndonjë ekspert që mirëfilli trajton dhe vlerëson nevojat për atë ujë dhe vlerëson të mundshëm hidrocentralin, e njëjtë edhe për institucionin. I tërë ai dëm për banorët duke i lënë pa ujë vetëm që dikush privatisht të përfitojë. Kjo është tejet kriminale dhe nuk duhet të shpëtojë pa u hetuar. Këtu ka çështje hetimi.

Sot shteti nuk funksionon apo më mirë të themi funksionon vetëm në dobi të dëmit. Në emër të një vakumi institucional tani po vazhdon degradimi i cili në Kosovë ndodhë tash sa vite. Lumi Bistrica në Shalë të Bajgorës tanimë është mbyllë, është futë në gyp dhe banorët atje kanë reaguar dhe reagojnë në vazhdimësi. Të njëjtën duan ta bëjnë kudo në Kosovë.

Situata plotësisht e rënduar paraqitet në Lumbardh të Deçanit. Aty ish Ministri së bashku me sekretarin e Ministrisë së Mjedisit i kanë kërkuar jashtë çdo rregulle e norme ligjore Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që t’ia zgjasë afatin edhe për tre muaj kompanisë “Kelkos” gjoja për të plotësuar kushtet. Të gjithë që punojnë në këtë fushë dhe banorët po ashtu e dinë që për tre muaj “Kelkos” nuk mund të bëj asgjë lidhur me degradimin e madh që ka shkaktuar.

Inspektorati për ujërat dhe Autoriteti i pellgjeve lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mund të fshihen pas faktit që nuk dihet a kanë ministër a jo. As pas ZRRE-së. Ligji për ujërat i njeh ata përgjegjës për të vepruar. Respektivisht për të ndalur punimet aty ku po dëmtohen pellgjet lumore, apo ka raportim për degradim e shkelje të autorizimeve. Andaj, t’i ndalojnë këto punime. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin por bëhet fjalë për drejtpërdrejtë jetën dhe ekonominë e qytetarëve dhe për këto shkelje duhet ta kenë të qartë se nuk do të mund t’i shpëtojnë hetimit dhe drejtësisë.

 

 

Kontribo