Takim lamtumirës me ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec
Ambasadoren e Kroacisë, znj. Marija Kapitanović, dhe Sekretarin e parë të ambasadës, Zlatko Vnućec, sot, i pritën në takim lamtumirës, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Kryetari Kurti e falënderoi znj. Kapitanović për bashkëpunimin gjatë shërbimit të saj dhe i uroi suksese në angazhimet e tjera të radhës.
Përgjatë bisedës u theksua rëndësia e institucionalizimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve tona. Po ashtu, u diskutuan përvojat e Kroacisë në forcimin e saj ligjor e demokratik dhe ndihma e mbështetja e Kroacisë në shtetndërtimin e Kosovës. Kryetari Kurti përsëriti nevojën e vendit tonë për një qeveri të re e cila do t’i intensifikojë marrëdhëniet ndërshtetërore me vendet aleate e partnere, veçanërisht me Kroacinë.
Në fund të takimit, znj. Kapitanović shprehu dëshirën e saj për t’i ndjekur edhe më tej zhvillimet në Kosovë, ndërkaq zyrtarët e Lëvizjes shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin me pasuesin e Ambasadores.