21 08 2019

Të dëgjohen kërkesat e punëtorëve të aeroportit

Në periudhën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po rriten, e rrjedhimisht po rriten edhe te hyrat për kompaninë private që e ka marrë me koncesion, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë. Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kohë qe ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato. Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva.

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur e ANP dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen.

Kontribo