Erdhi Dita e Ndryshimit me Diasporën
Mbrëmë në Berlin, në tubimin me bashkatdhetarët tanë, kandidati për kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me kandidatët për deputetë, Glauk Konjufca dhe Mevlyde Hyseni, shoqëruar edhe nga deputeti i Bundestagut nga radhët e SPD-së, Stefan Schwartze, dhe Drejtori i FES-it për Kosovë, Frank Hantke, folën për domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kosovë dhe për qeverisjen e re të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
“Me fitoren e Lëvizjes me në krye njeriun që mishëron më së miri, programin dhe konceptin e saj, Albin Kurtin, do të ndryshojë çdo fushë e jetës në Kosovë, nga vënia e rendit dhe ligjit deri te vendosja e Kosovës në binarë të sigurtë të zhvillimit ekonomik”, tha në fillim Glauk Konjufca.
Më tej, kandidatja Mevlyde Hyseni vazhdoi duke thënë se me gjithë kontributin e saj mërgata duhet të ketë vendin e vet në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe akoma më shumë të faktorizohet pas këtyre ndryshimeve. “Kemi nevojë për biznesmenë dhe bashkatdhetarë që investojnë në Kosovë, mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, mbajnë rininë brenda vendit, dhe sjellin përvojën e tyre të punës.”
Ndërkaq deputeti i SPD-së gjermane Stefan Schwartze tha se zgjedhjet në Kosovë, janë zgjedhje historike për investimet në shëndetësi e arsim dhe foli për sistemin dual që e lidhë arsimin me ekonominë dhe nevojat e saj, gjë që Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka në program. Ai përshëndeti dhe uroi kandidaturën e kryetarit Kurti për kryeministër, si realizimin e një dëshire personale të kahershme të tij për një socialdemokraci të vërtetë në Kosovë.
Frank Hantke në fjalën e tij tha se si Drejtor i FES ka 15 vite që punon për të ndihmuar ardhjen e socialdemokracisë në Ballkan, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës brenda Evropës. Tutje, përmendi se diaspora shqiptare më së shumti ka dhënë për Kosovën dhe se solidariteti i vërtetë nuk është vetëm të japësh, por edhe të marrësh. Ka ardhur koha që diasporës t’i njihet kontributi dhe të faktorizohen brenda Kosovës, përfundoi ai.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti në fjalën e tij tha se emri i shansit për ndryshimin në Kosovë është Lëvizja VETËVENDOSJE!, që me programin e saj me qëndrimet konsistente, orientimin socialdemokrat, patriotik dhe me njerëz të pathyeshëm do të marrë përsipër që ta bëjë vendin të lehtë për t’u jetuar nga njerëzit e ndershëm dhe të vështirë për të korruptuarit. Do ta mundësojmë drejtësinë pa hakmarrje, në salla gjyqi, me prokuror të zotë e të patrembur, të dijshëm, kompetent, kredibil dhe po ashtu gjykatës që nuk zmbrapsen para asnjë vështirësie, tha ai.
“Ne dëshirojmë që paraja e diasporës të mos jetë thjeshtë për mbijetesë sociale, por të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë do ta themelojmë Fondin Sovran që ndërmarrjet publike ia merr qeverisë, ndërmarrjet shoqërore ja merr AKP-së, i ristrukturon dhe i shet aksionet në vend të privatizimit të egër. Kështu hapet rrugë për investimet vendore, të diasporës dhe të vendeve tjera. Po ashtu, zotohemi se punëtorët dhe punëdhënësit shqiptarë në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu duhet ta kenë të drejtën e votës në Kosovë pa pengesa. Erdhi dita që diaspora të vijë të votojë më 6 tetor, që entuziazmi i tubimeve tona të na mbajë gjatë dhe pas fitores së madhe”, përfundoi Kurti.