14 09 2019

Tubim mbresëlënës në lagjen Bregu i Diellit

Qindra qytetarë të lagjes Bregu i Diellit u mblodhën në një tubim mobilizues për zgjedhjet e 6 tetorit. Në tubim foli kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatët për deputetë Nora Kelmendi, Rexhep Selimi, Driton Vela dhe Getoar Mjeku. Të pranishëm në hollin e mbushur të shkollës ‘Ismail Qemali’ ishin edhe kandidatët e tjerë të listës tonë.

Nora Kelmendi tha se Lëvizja me punën e saj të pandalshme në Kuvendin e Kosovës dhe në Komunën e Prishtinës e ka dëshmuar se rrënjët e së keqes mund të luftohen dhe të çrrënjosen dhe se pas 6 tetorit ato rrënjë do t’i largojmë njëherë e përgjithmonë.

Rexhep Selimi foli për nevojën e një sistemi arsimor që i aftëson fëmijët drejt një ardhme më të ndritur e qe arrihet vetëm përmes programit të VETËVENDOSJE!-s.

Driton Vela kujtoi uzurpimet e hapësirave publike dhe përforcoi domosdoshmërinë e çlirimit të tyre nga të gjithë ata që keqpërdorin.

Ndërsa Getoar Mjeku, si më i riu, theksoi rëndësinë e punës dhe dinjitetit të arsimtarëve dhe profesorëve. Ai përmendi se si lagja e Bregut të Diellit në kohë lufte ofronte hapësirë për mësimdhënie kurse sot i mungojnë hapësirat e duhura për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Kryeministri – siç e thërrisnin qytetarët në sallë – Albin Kurti, përdori figurën e një ulëseje të vjetër tradicionale për ta paraqitur programin e Lëvizjes, “Shkëmbi që të jetë ulëse duhet t’i ketë tri këmbë: Zhvillimin, Drejtësinë dhe Barazinë. Shkëmbi siç e dimë të gjithë nuk është për politikanë, nuk është karrigë politikani, por është ulëse për popullin. Ai e mban peshën e popullit dhe ato tri këmbë janë aty për ta luftuar dhe për t’i rezistuar pabarazisë, padrejtësisë dhe papunësisë”.

Një kësi shkëmbi i nevojitet vendit tonë. Një shtet i ri, një qeverisje e re, në të cilin ata që kanë më shumë paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme dhe ata që i kanë nevojat më të mëdha shërbehen të parët. Një këso shteti zotohemi që do ta sjellim që nga dita e parë, pas fitores tonë me 6 tetor – tha kryetari Kurti.

Kontribo