Erdhi dita për një shtet në funksion të shëndetit dhe banimit
Entuziazëm i lartë edhe në pjesën e Prishtinës së vjetër ku qytetarët e mbushën hollin e shkollës ‘Emin Duraku’ për të dëgjuar kryeministrin e ardhshëm Albin Kurti dhe kandidatët për deputet Arben Vitinë, Leonora Shabani-Bajraktarin, Shpejtim Bulliqin dhe Venera Llunjin. Pati edhe dhjetra anëtarësime të reja e të pranishëm ishin edhe kandidatët e tjerë të listës së Lëvizjes.
Arben Vitia tha se statistikisht 20% e popullsisë për arsye ekonomike nuk shkon te mjeku dhe që kjo do të ndryshoj me sistemin e sigurimeve shëndetësore që do e sjell qeveria e re, ku secili qytetar do t’i marr shërbimet më të mira e sidomos ata që kanë pak.
Kandidatja Leonora Shabani-Bajraktari foli për betejat që ka zhvilluar edhe individualisht por edhe përmes VETËVENDOSJE!-s në Komunën e Prishtinës për t’i ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo tha se qeveria e re do ta marr përsipër të kujdeset për fëmijët, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.
Shpejtim Bulliqi tha se VETËVENDOSJE! është e vetmja që sjell ndryshimin dhe perspektivën për qytetarët e vendin dhe se andaj është bërë pjesë e saj. Ai porositi që mos t’iu besojmë atyre që flasin tani për vija të kuqe ngase e kaluara ka dëshmuar se ato vija të kuqe bëhen të gjelbra në përfundim të zgjedhjeve.
Venera Llunji foli për sistemin arsimor duke theksuar nevojën për cilësi dhe dinjitet më të lartë në këtë fushë si parakusht që të kemi mjekë, ekonomistë dhe inxhinierë të mirë por edhe qytetarë të denjë në të ardhmen.
Kryeministri Kurti tha se në Kosovë nuk është treguar aspak kujdes me klasën e mesme dhe se një sëmundje më serioze po i zhvendosë ata nën pragun e varfërisë, për shkak se nuk ka sigurime shëndetësore, as medikamente bazë dhe shpeshherë as shërim brenda vendit.
“Tek ne veturat kanë sigurim por jo edhe njerëzit dhe kjo tregon që e kemi një shtet në funksion të veturave, asfaltit, qarkullimit, por jo në funksion të banimit. Me qeverinë e re do të kalojmë nga investimet në asfalt në investime që gjenerojnë vende të punës e akumulojnë kapital. Me sigurime shëndetësore dhe spitale që e bëjnë ndarjen mes privates dhe publikes në mënyrë që mjekët të mos rekrutojnë pacientë paradite për ordinancat e tyre private pasdite. Me një shtet human që nuk është në funksion të veturës, mallit, parasë dhe ku pacienti kur niset për në QKUK të mos e mendoj xhepin e tij por sëmundjen që ka, do ta fillojmë qeverisjen e re”, tha ai.
Deri më sot data dhe subjekti dihej, tash e dimë edhe numrin e fitores 126, andaj duhet të mobilizohemi që fitorja të jetë sa më e madhe ngase ndryshimet duhet të jenë sa ma rrënjësore.