17 09 2019

Gjakova: Erdhi dita për prodhuesit e punëtorët

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi dje në Gjakovë ku bashkërisht me kandidatët për deputetë Jahja Koka, Arbërie Nagavci, Agon Batusha, Mimoza Kusari-Lila, Mimoza Shala, Hysamedin Feraj, Taulant Kryeziu, Lorik Lipoveci dhe Vlora Vula-Gojani, vizituan ndërmarrjen shoqërore ‘Jatex’, kompanitë që merren me përpunimin e drurit për mobileri ‘Mebel’ e ‘Deva’ si dhe një fermë në fshatin malor Babaj të Bokes, me të cilët nga afër u diskutua për problemet e tyre dhe zgjidhjet që i parasheh qeveria e re e VETËVENDOSJE!-s.

Në ‘Jatex’, Drejtori Riza Lula tregoi se si kjo ndërmarrje me prodhimtarinë e saj eksportuese dikur punësonte rreth 1300 punëtorë, kurse tani në listë ka vetëm 600 prej të cilëve vetëm 30 marrin paga. Ai shprehu shqetësimin se si pronat e ‘Jatex’ në rajon, të blera me pagat e 12-ta të punëtorëve, në Bosnje (5), Mal të Zi (4) dhe Serbi (24) janë uzurpuar e janë shitur dhe shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë. Si përgjigje, Kryetari Kurti tha se qeveria e re do ta shfuqizoj AKP-në dhe përmes Fondit Sovran që i përgjigjet Kuvendit, një bordi profesional, do ta menaxhojë dhe strukturojë këtë ndërmarrje duke ua mundësuar qytetarëve e në veçanti atyre nga diaspora të bëhen aksionarë në të. Qeveria e re do të kërkojë zyrtarisht zhdëmtim për shkatërrimet që ka bërë Serbia, përfshi këtu edhe pronat që janë uzurpuara e shitur si ato të ‘Jatex’.

Kompanitë që merren me mobilieri shprehën shqetësimin për ikjen e punëtorëve të kualifikuar, hapësirën e punës dhe ngjashëm me fermerët mungesën e subvencioneve dhe kreditë e larta që detyrohen t’i marrin. Me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s, do të ketë sistem dual të arsimit që e lidh këtë të fundit me ekonominë në atë mënyrë qe barra e edukimit të punëtorëve të mos bie më mbi bizneset. Kurse kamatat do të bien nën 3% dhe koha e kthimit do të rritet përmes Bankës Zhvillimore që do t’i ndihmojë prodhuesit vendor, tha Kryetari Kurti.

Pas këtyre takimeve, Kryetari Kurti, së bashku me kandidatët për deputet nga Gjakova, uruan mirëseardhjen për 50 e më shumë anëtarë të rinj në Qendrën e Lëvizjes në Gjakovë, me të cilët u zhvillua një diskutim publik rreth mobilizimit për zgjedhjet e 6 tetorit. Dalja do të jetë masive, fitorja e madhe dhe ndryshimet rrënjësore.

Kontribo