Zhegër e Pozharan: qindra tubojnë për qeverinë Kurti që po vjen
Nga Zhegra e Agim Ramadanit në Pozharan, me Kryeministrin e 6 tetorit, Albin Kurtin, shoqëruar nga shumë kandidatë për deputetë mbajtëm dy tubime të zjarrta me qindra qytetarë bashkangjitur. Qytetarët duan ndryshime të mëdha për Kosovën dhe jetët e tyre dhe po vijnë në tubime për të dëgjuar sesi do të duket jeta e tyre pas 6 tetorit.
Në tubime mori pjesë edhe Aleksandra Channer, aktivistja e angazhuar në Kosovë prej fillimit të dekadës së kaluar, e ardhur posaçërisht nga Britania e Madhe për të mbështetur Lëvizjen tonë. Në fjalën e saj, Aleksandra Channer shpjegoi dy arsyet se pse ka ardhur në Kosovë duke thënë, “së pari, unë besoj se VETËVENDOSJE! e sjell ndryshim sepse e ka vullnetin e dijen për ta çkapur shtetin nga politikanët që janë bërë kriminelë dhe po ashtu ka vullnetin dhe bindjen për t’i ndryshuar thellësisht jetët e njerëzve. Ndërsa arsyeja e dytë është Albin Kurti, të cilin e kam njohur si aktivist, si i burgosur dhe si deputet, dhe jam thellësisht e bindur në ashtin e trupit se do ta njoh Albinin edhe si Kryeministër pas 6 tetorit”.
Ndërsa kandidati jonë për Kryeministër tregoi sesi gjithandej nëpër kosovë po vlojnë tubimet e popullit tonë të uritur për ndryshime barazie, drejtësie e zhvillimi. “Kosova ka nevojë për shërim sepse e kanë trajtuar shumë keq. Hajni plaçkën e tij e trajton keq, mallin që e ka vjedhur e trajton keq, automjetin e vjedhur e ndesh shpesh. Ne duhet t’ua marrim Kosovën tonë të dashur prej duarve atyre që e kanë plaçkitur dhe me ta duhet të merret prokuroria dhe gjyqësia. Hajnat duhen në burg dhe plaçka e tyre në buxhet”, u zotua Albin Kurti.
Zhegra e Pozharani, fshatrat e qytetet e Kosovës janë të vetëvendosur për kthesën e madhe të 6 tetorit, janë të vetëvendosur për ta mundësuar drejtësinë në mënyrë që ta pamundësojnë hakmarrjen. Pabarazia, papunësia dhe padrejtësia do të kenë një armik të palëkundur pas 6 tetorit. Më pak se tri javë e ndajnë Kosovën nga dita e lindjes së një qeverie të barazisë, drejtësisë dhe zhvillimit.