21 09 2019

Në Mitrovicë e Vushtrri fryma e qeverisë Kurti ndihet gjithandej

Mes qindra qytetarësh që po bëhen me mijëra nga Gushavci në Zhabar, nga Mitrovica në Vushtri, Lëvizja mbajti katër tubime mobilizuese me kandidatin tonë për Kryeministër, Albin Kurtin me një pjesë të listës tonë të kandidatëve, Xhelal Sveçlën e Rexhep Selimin, kandidatët nga Mitrovica, Faruk Mujkën, Arjeta Fejzën e Fidan Ademin dhe kandidatët nga Vushtrria, Besim Muzaqin, Gazmend Gjyshincën, Fjolla Ujkanin e Sylejman Mehollin.

Në tubime mori pjesë e foli edhe Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke kujtuar mbështetjen e madhe që ka marrë nga Lëvizja dhe Albin Kurtin për të mos i lënë 7 fshatra të Mitrovicës të bëheshin pjesë e komunës veriore. “Njeriu që ka dëshmuar për këtë vend edhe si student, edhe si demostrues, edhe si parlamentar, edhe si i burgosur, njeriu që ka dëshmuar se mund të bëjë gjithçka për Kosovën, të cilin nuk mundën ta thyejnë sepse ka një ideal në shpirt, një zemër të fortë dhe një vizion të qartë”, kujtoi Bahtiri.

Në fshatrat e qytetet tubuese, Kryeministri i ardhshëm Kurti prezantoi masat ndërhyrëse për ndryshimet e mëdha për Kosovën, nga vettingu, te shëndetësia dinjitoze, arsimi falas e cilësor, garantimi i kushteve të punës e deri te prodhimi vendor. “Fitorja e Lëvizjes është e vetmja garancë që PDK-ja të shkojë në opozitë e atje në centrifugë të pastrohet, mirëpo Lëvizja jonë nuk duhet të fitojë vetëm që të shkojë PDK-ja në opozitë. Lëvizja duhet të fitojë që t’i zëvendësojë emigrimin me punësim, korrupsionin me drejtësi, krimin me siguri, skamjen me begati, sëmundjen me shërbim, arrogancën me respekt e injorancën me arsim”, tha Albin Kurti.

Me alternativën tonë qeverisëse me drejtësinë në zemër, me dëshirën për barazi e me zhvillimin në mendje do t’i zvogëlojmë pabarazitë në aftësi profesionale, pabarazitë në të ardhura dhe pabarazitë përpara ligjit. Një ditë e re e një kohe të re për Kosovën e barazinë mes qytetarëve të saj vjen me qeverisjen Kurti nga data 6 tetor e tutje.

Kontribo