22 09 2019

Fushë-Kosova: mobilizim edhe përmes piknikut.

Të dielën në Fushë-Kosovë e shndërruam në piknik mobilizues. Mes pishave të parkut të Sllatinës, me aktivistë e qytetarë, të rinj e të moshuari, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, biseduam me entuziazëm për kthesën kah e mbara, që do të marrë Kosova pas 6 tetorit.

Qytetarët e kërkojnë Kosovën të pastër ashtu siç kërkojnë parqet, për fundjavat me familjet e tyre. “Me qeverisjen tonë të re”, u zotua Kryeministri jonë i ardhshëm Kurti, “ne do ta mbrojmë mjedisin, do ta luftojmë ndotjen dhe gjithashtu do ta pastrojmë Kosovën. Do ta pyllëzojmë Kosovën, sepse këta e kanë shpyllëzuar, dhe do t’i rregullojmë shtratet e lumenjve në mënyrë që sa herë kemi të reshura të mos kemi vërshime”.

Qeverisja e Lëvizjes nuk do të vijë me urrejtje e për inat të askujt, por me hir e për nevojat e popullit tonë. Kosova ka nevojë për një shtet aktiv i cili i kryen më së miri funksionet e tij kryesore të mbikqyrjes dhe mirëmbajtjes të pasurive tona të përbashkëta.

Kryeministri i ardhshëm, mes duartrokitjeve të ngrohta të qytetarëve, shtoi se, “duhet t’i luftojmë dy vese të këqija që vijnë prej lart-poshtë, harresën e lakminë. Harresa edhe lakmia e kanë përçarë e ndarë shoqërinë tonë, harresa ndaj krimeve të luftës e të paqes, dhe lakmia për pushtet e para. Këto duhet të ndalen. Harresën ta luftojmë me kujtesë institucionale dhe lakminë me një qeverisje të re e cila e bën reformën e administratës ku do kemi edhe departizim edhe profesionalizëm”.

Për kandidatët nga Fushë-Kosova, Albana Gashin dhe Avni Zogianin, përkrahja e përditshme qytetare po tregon se më 6 tetor Lëvizja do të fitojë edhe më bindshëm sesa në zgjedhjet e vitit 2017, kur doli e para në komunën në fjalë. Qytetarët duket se e kanë të qartë zgjedhjen mes qeverive të deritanishme të lidhura me tregtarët e mëdhenj të importit e dirigjimeve nga Serbia përballë qeverisë Kurti për prodhim vendor e reciprocitet me Serbinë.

Lëvizja është bërë zgjidhja e shqetësimeve, adresa e shpresave dhe ëndrrave tona, nyja që na mbledh në shoqëri prej bindjes se të mirat e përbashkëta janë për t’u bashkëndarë. Erdhi dita e një vullneti të përgjithshëm, për të mirën e përbashkët me Lëvizjen.

Kontribo