S’ka lagje e fshat të Gjilanit të pamobilizuar për Qeverinë Kurti
Në Gjilan, nga lagjia Arbëria deri në fshatin Malishevë përgjatë mbrëmjes vazhduam radhën e pafund të tubimeve mobilizuese e bashkbisedimeve me qytetarë në koridore të gjata shkollash e në palestra sportive mbushur plot.
Kandidatët nga Gjilani, Alban Hyseni e Arbëreshë Kryeziu, Labinota Demi e Shemsi Syla, folën në lagjen Arbëria për nevojën e një faze mobilizimi final drejt fitores së 6 tetorit. Ndërsa Nevzad Isufi e Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi e Sami Kurteshi mbajtën fjalët e tyre në fshatin Malishevë.
Thirrja për fitoren e Lëvizjes është në të njëjtën kohë detyrë qytetare, dëshirë popullore dhe nevojë imediate. Përkrahja për Lëvizjen është masive, bindëse dhe e palëkundur. Kosova dhe bashkëqytetarët tanë meritojnë më shumë arsim, shëndetësi, infrastrukturë e ligjshmëri, më shumë barazi, solidaritet e zhvillim.
Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, shpjegoi programin qeverisës të Lëvizjes. Në qeverinë Kurti e për Kryeministrin e zemrave tona, për punëtorin do të ketë ligj pune, 5-fishim të inspektoriatit, gjykatë të punës e fuqizim të sindikatave, për ndërmarrësit do të ketë bankë zhvillimore me këste të ulëta në periudha të gjata e gjykata komerciale dhe për ndërmarrjet publike e shoqërore do të kemi fondin sovran.
“Kurrë më nuk do të kemi pushtet që sillet si prona i republikës dhe popullin e vet e ndan si argat e armiq”, deklaroi Albin Kurti. “Më së shumti duhet t’u shërbejmë atyre që kanë nevojat më të mëdha”, u zotua i pari i maratonës tonë fituese Kurti.
Varfërisë, pabarazisë dhe padrejtësisë po u vjen dita e fundit. Qytetarët me qeverinë Kurti nuk do të ndihen të vetmuar e të mangët, por të bashkuar e të zotët e këtij vendi. Paaftësinë do ta zëvendësojë profesionet, urrejtjen dashuria, frikën entuziazmi, pabarazinë barazia e mjerimin zhvillimi.