Ky regjim do ikë me hapat 1 2 6
Mes qytetarëve të shumtë që e thërrisnin emrin dhe funksionin e tij të ri si kryeministër, Albin Kurti së bashku me kandidatët për deputetë nga Theranda, Salih Zyba, Drita Kabashi, Liridon Fandaj, Albana Gashi dhe kandidati Rexhep Selimi hynë në oborrin e Gjimnazit “Jeta e Re” në Therandë për ta folur qeverinë e 6 tetorit.
Kandidati Salih Zyba kujtoi se ato pak prona e ndërmarrje që i mbijetuan luftës nuk i mbijetuan pasluftës së privatizimeve nga partitë që udhëheqin vendin për 20 vite. Ai tha se këto parti që kanë shkatërruar ekonominë, arsimin, shëndetësinë e drejtësinë po shkojnë për mos t’u kthyer më dhe se me 6 tetor qeverisja e re me Albin Kurtin në krye po vjen.
Doktoresha Drita Kabashi foli për atdhedashurinë dhe shëndetësinë. Si doktoreshë e shkolluar dhe me përvojë pune në Gjermani, ajo tha se dashuria për atdheun dhe njerëzit në Kosovë ja shtyu ndjenjën e detyrës për t’u kthyer dhe shërbyer në vendin e saj, ku tash me qeverinë e re do të ketë sigurime shëndetësore dhe trajtim profesional dhe njerëzor për qytetarët e vendit pa diskriminim.
Kandidatja Albana Gashi përmendi ndërmarrjet e Therandës që ja kanë dhënë identitetin dhe dinjitetin qytetarëve të saj e që janë shkatërruar përmes privatizimit. Qeveria e re do ta shfuqizoj AKP-në dhe do t’ia marr asaj ndërmarrjet shoqërore për ta hapur një kapitull të ri në ekonominë e vendit, që do t’ia kthej shpresën qytetarit e dinjitetin punëtorit.
Gjenerali dhe kandidati për deputet Rexhep Selimi tha se pas një jave do të flas populli i Kosovës, e pas asaj jave do të heshtin ata që na vodhën e na rrjepën, e pas edhe asaj jave në ditët tona plotë dritë nuk do i shohim më këta lakuriq të natës. Ata do të ikin sepse në emër të UÇK-së kërkuan votën dhe sollën Gjykatën Speciale, sepse premtuan vende pune dhe e larguan rininë jashtë vendin, ata do të ikin sepse po vjen Vetëvendosja dhe Albin Kurti kryeministër.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se Theranda duhet të ketë ujë e trotuare, parqe e sheshe publike dhe se këto do të bëhen përmes grantit të katërt për komuna në vlerë prej 600 milionë eurosh, që do e ndajë qeveria e re. Edukimi do të lidhet me kërkesat e tregut në mënyrë që çdo i diplomuar ta gjej një vend pune dhe e gjithë kjo do të mbështetet edhe prej investimeve të Bankës Zhvillimore në industrinë prodhuese dhe përpunuese që do i zëvendësojë importet.
“Me qeverinë e re të rinjtë nuk do e lidhin më besën me partinë, por kontratën me kompaninë dhe trendi i ikjes do të ndalet përmes shtetit solidar dhe shtetit social. Ne do të ofrojmë punësim të garantuar për një anëtar të familjes për çdo familje në skemë sociale. Do ta ndajmë mirëqenien duke paguar deri në 240 euro në vit për fëmijët nën 2 vjeç, e 120 euro në vit për fëmijët nën 16 vjeç, dhe do të heqim tatimin për të ardhurat deri në 300 euro sepse askush nuk duhet të paguaj për të mbetur gjallë”, tha ai.
Me votimin e qeverisë së re me datë 6 tetor, e me fitoren tonë të përbashkët do t’i bëjmë ndryshimet që i duam dhe i presim.