30 09 2019

Fitorja e qeverisë Kurti nuk do të mungojë as në Malishevë

Malisheva priti me tubim ngadhënjyes në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” kandidatët fitimtarë të Lëvizjes të drejtuar nga kryeministri i ardhshëm Albin Kurti.

Kandidati Gani Krasniqi kujtoi vlerat kulturore, patriotike e lufttarake të Malishevës. Për të mbrojtur këto vlera sot më shumë se kurrë, veprimtari i kahmotshëm i çeshtje kombëtare Krasniqi u shpreh se na duhet shteti i drejtë për popullin dhe ligji për hajnat, duke shtuar se Republikës i duhet virtyti e i duhen njerëzit e Kosovës dhe jo hajnat. “Ia kemi borxh shpresës që po lind që ta bëjmë realitet”, tha Krasniqi.

Kandidatja dhe inxhinierja Jetmira Vrenezi tregoi se vullneti për ndryshim dhe besimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! vetëm se po rriten. Jetmira nuk është ndaluar as si aktiviste, as si nënpunëse në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Prizrenit dhe nuk do të ndalet as si deputete e Kuvendit.

Në fjalën e saj kandidatja Albulena Haxhiu shpjegoi se populli po e mbështet Lëvizjen sepse VETEVENDOSJE! nuk e ka tradhëtuar e mashtruar asnjëherë atë. “Për dallim nga të tjerët, VETËVENDOSJE! i sheh qytetarët në sy tek u kërkon mbështetje për zgjedhjet e 6 tetorit”, tha kandidatja Albulena Haxhiu.

Kryeministri i ardhshëm Albin Kurti përballë qytetarëve të shumtë të Malishevës në tubim tregoi sesi autostradat e mbyllura, si në Malishevë e në tërë vendin, i kanë ngulfatur komunat, tokat bujqësore dhe i kanë detyruar banorët të shpërngulen prej tyre. Ndërsa me qeverinë Kurti dhe me grantin e katërt për komunat prej 600 milionë eurosh për 4 vitet e mandatit, komunat do të kenë mundësi të investojnë në infrastrukturë, shkolla e ujësjellësa. “As nuk do të tolerojmë që ujrat e zeza të bëhen ujëvarë e as nuk do të lejojmë që ujvara e Mirushës të ketë ujra të zeza”, tha vendosmërisht kryeminstri jonë Kurti.

Ndërsa në fund të fjalimit ai bëri thirrje që ta mposhtim varfërinë e ta mposhtim frikën, sepse aty ku populli ka frikë nga qeveira kemi tirani dhe aty ku qeveria ka frikë nga populli kemi demokraci. Me VETËVENDOSJE!-n në qeveri e heqim frikën dhe e rikthejmë shpresën.

Kontribo