06 11 2019

Takim me Kryetarin e organizatës “Shpresa” në Bujanoc, z. Nevzad Lutfiu

Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë z. Liburn Aliu dhe anëtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë , znj. Tropikë Agaj, pritën sot në takim Kryetarin e organizatës “Shpresa” në Bujanoc, z. Nevzad Lutfiu, të shoqëruar nga Koordinatori i Organizatës, z. Nedim Rexhepi, dhe anëtarët e kësaj organizate, Almedina Ameti, Arbër Aliu, Almir Halili dhe Besir Fejzullahu.

Z. Nevzad Lutfiu, e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor. Ai tha se edhe shqiptarët jashtë Republikës së Kosovës e kishin vëmendjen te këto zgjedhje dhe të gjithë iu gëzuan rezultateve që ia dhanë shansin opozitës e ndryshimit në vend. Z. Lutfiu e njoftoi kryetarin për programin dhe aktivitetet e organizatës së tij, të arriturat, si dhe vështirësitë që hasin në punën e tyre.

Z. Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën. Ai e njoftoi z. Lutfiu për prioritetet e qeverisë së re, ku vend të rëndësishëm kanë të drejtat dhe mirëqenia e shqiptarëve jashtë kufirit, liritë e punësimi i tyre si dhe aspekti i shëndetësisë dhe arsimit në ato vende ku ata jetojnë. Marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë, sidomos për shqiptarët në Luginë do të zbatohen, dhe të tjera që dalin nga bashkëbisedimi i ndërsjellë dhe që i përgjigjen nevojave të kohës do të inicohen, tha Kurti.

Në këtë takim të përzemërt u fol për nevojën e unifikimit të subjekteve politike në Luginë, në mënyrë që kërkesat e shqiptarëve atje të adresohen më fuqishëm në të ardhmen. Për një Universitet publik në gjuhën shqipe në Bujanoc, njohjen e diplomave të studentëve shqiptarë, dhe shtimin e kuotës për studentë nga Lugina në universitetet publike të Kosovës, sidomos në nivelin master. Mes tjerash, u dakorduam edhe për rëndësinë e hapjes së qendrave rinore atje, ku përmes organizimeve edukative, kulturore e artistike do të krijoheshin mundësi të reja për aktivizimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre për tregun e punës.

Në fund, u tha se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit duhet ta kenë vëmendjen dhe angazhimin e duhur si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës. Kjo duhet të ndodhë si për faktin se edhe ata janë meritorë për shtetet tona, por sidomos për shkak se ata diskriminohen më së shumti sot, në të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore e kombëtare.

Kontribo