07 11 2019

Takim me Ambasadorin e Japonisë z. Kiyoshi Koinuma

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadorin e Japonisë z. Kiyoshi Koinuma, i cili ishte i shoqëruar nga Sekretari i Parë z. Mitsunori Ogasawara dhe Përgjegjësi për Zyren Japoneze në Prishtinë, z. Arbër Myftari.

Z. Koinuma, i cili është në përfundim të mandatit të tij, njoftoi z. Kurtin për raportet e deritanishme të Japonisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe kulturës. Ai ndau me zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! lajmin e mirë se që nga janari i vitit 2020, Japonia do ta hapë Ambasadën e saj në Republikën e Kosovës. Ky do të jetë një hap shtesë në përparimin e raporteve bilaterale në mes të dy vendeve tona. Për më tepër z. Koinuma u interesua për procesin zgjedhor dhe procesin e negociatave për formimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.

Z. Kurti tregoi që bashkë me përfundimin e procesit të numërimit dhe rinumërimit të votave, po afrohet edhe përfundimi i suksesshëm i negociatave me LDK-në për formimin e Qeverisë. Ai tregoi që me qeverisjen e re do të ndalet korrupsioni brenda Qeverisë dhe do të luftohet korrupsioni jashtë saj. Prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, ngritja e cilësisë së arsimimit nëpërmjet sistemit dual arsimor dhe dialogu nga poshtë-lart me minoritet për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti përsëriti qëndrimin se së pari duhet të kemi një vlerësim të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara dhe efekteve të tyre dhe pastaj duhet të ketë një dialog me Brukselin mbi kornizën e dialogut me Serbinë. Dialogu pa parime me Serbinë, duhet të zëvendësohet me dialogun i cili ndërtohet mbi tri parime bazë: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe jo presidentët sipër hartave në tryezë. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor do të mund të sillte marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve

Kontribo