12 11 2019

Takim me një delegacion nga Partia Demokratike që ka shtrirje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë

Dje, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e kryesisë znj. Albulena Haxhiu, kandidaten për deputete znj. Teuta Fazliu dhe Sekretarin për Marrëdhënie me jashtë nga Lëvizja, z. Kreshnik Ahmeti, priti në takim një delegacion nga Partia Demokratike që ka shtrirje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të kryesuar nga kryetari i saj, z. Nagip Arifi, kryetarja e Forumit të Gruas znj. Adelina Brucaj Hasani, kryetari i Forumit Rinor z. Sali Salihi, si dhe z. Shaban Xheladini.

Në këtë takim, përfaqësuesit nga Bujanoci na uruan fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe shprehën dëshirën që qeveria e re të formohet sa më parë në mënyrë që edhe ndryshimet për të cilat qytetarët kanë votuar të vihen në jetë. Mes tjerash, ata na njoftuan edhe për gjendjen e rëndë në Bujanoc, ku për shkak të ngecjes në ekonomi dhe arsim, të rinjtë nuk po shohin më perspektivë atje dhe po emigrojnë jashtë vendi siç kanë bërë më herët në Medvegjë. Kryetari i PD-së, z. Arifi tha se mungojnë veprimet konkrete nga qeveritë e deritanishme të Kosovës.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin e vizitën, dhe tha se është në dijeni për gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalon Lugina. Ai e njoftoi z. Lutfiu për prioritetet e qeverisë së re, ku vend të rëndësishëm ka mirëqenia e shqiptarëve jashtë kufirit, të drejtat dhe liritë e tyre si dhe aspekti i shëndetësisë dhe arsimit në ato vende ku ata jetojnë. Z. Kurti tha se qeveria e Kosovës do jetë më aktive në mbështetjen e shqiptarëve në Luginë, dhe këtë do e bëjë bashkë me Shqipërinë, si përmes zbatimit të marrëveshjeve të deritashme ashtu edhe me marrëveshje të reja për politika që mundësojnë zhvillimin e jetës atje

Kontribo