Nga tryeza: “Mbështetja dhe fuqizimi i organizimit sindikal”
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe fitores së VETËVENDOSJE!-s, do e kemi në qeverisje subjektin e parë socialdemokrat në Republikën e Kosovës që edhe si pjesë të programit të saj e ka mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve, tha drejtuesi i SMJ-së në Lëvizje, z. Kreshnik Ahmeti, i cili edhe ndihmoi në organizimin e këtij bashkëbisedimi të parë mes kryeministrit të ardhshëm, z. Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve, ku u shpalosen problematikat, shkeljet dhe propozimet konkrete për t’i kaluar ato e mbrojtur punëtorët.
Kryetari Kurti tha se qeveria e ardhshme do të punoj në forcimin e sindikatave për shkak se ashtu mbrohen më së miri të drejtat e punëtorëve nga arbitrariteti i punëdhënësit. Ndër veprimet e para të qeverisë së ardhshme ai tha se do të jetë sundimi dhe respektimi i ligjit, rritja e inspektorëve të punës dhe krijimi i Gjykatës së Punës që trajton si shkeljet e mëdha po ashtu edhe ato të vogla që duhet të gjykohen e dënohen.
Kurti foli edhe për Kontratën Kolektive dhe Pagën Minimale.
Ai tha se qeveria e re do ta mbështes kontratën kolektive, por theksoi se duhet synuar që ato kontrata të jenë sektoriale dhe pjesë përbërëse e kontratave të punës. Negocimi i tyre nga sindikatat duhet të jetë shkallor dhe sektorial në mënyrë që të jetë i drejtë dhe fer.
Për pagën minimale, ai kujtoi se është e domosdoshme që shteti të mos rrijë si spektator por të ndërhyjë dhe të rregullojë tregun e punës. Paga minimale është tejet e rëndësishme dhe ajo duhet të përcaktohet pas një studimi të tregut që do të mundësonte edhe një kategorizim më të lehtë të nivelit dhe konsultim të të gjitha palëve.
“Paga minimale duhet të përcaktohet për numrin e orëve, duhet të jetë në harmoni me kontratën kolektive dhe me ligjin e punës dhe duhet të mbrojë edhe dinjitetin e punëtorit por edhe produktivitetin në punë.”
“Vendimi i ri duhet të jetë i qartë, i detajuar dhe i saktë. Ai duhet të definojë saktë se çka është paga minimale, si kalkulohet dhe si do të ndryshojë. Ne besojmë se vendimi duhet të marrë për bazë orët në punë e jo ditët e muajt dhe duhet të synohet që paga minimale të rregullohet për sektorë të ndryshëm.”
Qeveria duhet që para vendimit të ofrojë një studim të qëndrueshëm me përfshirje të Këshillit Ekonomiko Social, sindikatat, shoqërinë civile, studiuesit dhe grupet e interesit. Pra një dialog social duhet të i paraprijë vendimit dhe ky dialog duhet të jetë shkencor dhe shterues, tha kryetari në fund të fjalës së tij, për ta hapur më pas diskutimin.
Përfaqësuesit e sindikatave që morën fjalën në këtë bashkëbisedim shtruan problemet që lidhen me mungesën e ligjeve, moszbatimin e ligjit të punës, mungesën e kontratave, orët e punës pa pagesë, mungesën e pushimeve, dallimet në paga, mosrespektim e marrëveshjeve me punëtorët dhe sindikatat, problemet në sektorin privat, kërcënimet e shantazhet nga pushtetit si dhe vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Për këto dhe shumë çështje të tjera, ata shtruan edhe propozimet konkrete duke shprehur njëherazi edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re në drejtim të përmirësimit dhe përparimit të të drejtave të punëtorëve.
Para se t’i lexoj përfundimet nga ky dialog i parë shoqëror me sindikatat – për të cilin një pjesëmarrës tha se është i pari në Kosovën e pasluftës, kryetari Kurti tha se me 6 tetor është hapur mundësia për mundësitë e reja për ndryshime në të gjitha fushat e jetës, dhe që kjo duhet e do të shfrytëzohet në mënyrë aktive për të mirë.
Pesë përfundimet nga bashkëbisedimi
1. Punëtori duhet të mbrohet përmes bashkimit dhe organizimit të fortë sindikal, përfshirë këtu rishikimin e ligjit mbi organizimin sindikal. Përmes Gjykatës së Punës, përmes zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe përmes respektimit dhe zbatimit të ligjeve, posaçërisht të ligjit të punës.
2. Studim shkencor dhe dialog social për rritjen e pagës minimale, përkatësisht shkallëve dhe llojeve të rritjes.
3. Është konstatuar nevoja për ligje të reja. Për transmetuesin publik, për shërbimin korrektues, për pensionet, për organizimin sindikal etj., pa u kufizuar në këto. Pra, duhet të fillojmë të shkruajmë ligje të reja, bashkë me sindikatat.
4. Njoftim e vetëdijesim i punëtorëve për të drejtat e tyre dhe kontratat e tyre të punës. Sepse, ka punëtorë që nuk e kanë parë fare kontratën e tyre të punës dhe që nuk i dinë të drejtat e tyre. Kur e njoftojmë dhe e vetëdisojmë punëtorin për të drejtat që i ka – e aktivizojmë atë, dhe një punëtorë aktiv i ndihmon edhe sindikatat.
5. Studim e trajtim mbi mangësitë dhe pasojat e ligjit të ri të pagave që ka lënë shumë të pakënaqur me pabarazitë e ndryshme. Pra, natyrisht që në Kosovë ka inflacion, natyrisht që nevojat e shoqërisë vijnë duke u shtuar, natyrisht që pagat duhet të rriten, por kjo duhet të balancohet në njërën anë me mundësitë dhe në anën tjetër me kujdesin që mos të krijojmë pabarazi shtesë siç është bërë më herët ku për punën e njëjtë ka pasur pagesa të ndryshme.
“Tek ne do e keni partnerin dhe aleatin për probleme që janë të përbashkëta”, tha në fund, kryeministri i ardhshëm z. Kurti.