05 12 2019

Vizitë në Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Dje, në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga kryetari z. Albin Kurti, nënkryetarja znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, deputetët e Lëvizjes znj. Fitore Pacolli dhe z. Arben Vitia bashkë me nënkryetaren e Qendrës së Prishtinës znj. Hatixhe Hoxha dhe asamblisten e Kuvendit Komunal të Prishtinës znj. Leonora Shabani Bajraktari takoi Forumin Kosovar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kryetari i Forumit, z. Bujar Kadriu e falenderoi Kryetarin Kurti për vizitën dhe e njoftoi atë me punën dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohet Forumi Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara. Ai tha se ligji për persona me aftësi të kufizuara ka kohë që ka ngecur dhe nuk po zbatohet, dhe se pret nga qeveria e re të jetë më aktive në mbikëqyrjen e zbatimit të tij. Z. Kadriu shprehu bindjen se me qeverinë Kurti do të tejkalohen sfidat me të cilat përballet ky komunitet.

Anëtarët e këtij Forumi, shoqatat dhe organizatat që janë pjesë e tij, na njoftuan me kërkesat që ata kanë për qeverinë e re, e që janë: Fuqizimi i Këshillit Nacional për PAK, i cili në qeverisjen e kaluar nuk është mbledhur asnjëherë, e që do të duhej të mblidhej të paktën dy ose tre herë në vit dhe procedimin e draft ligjit për PAK. Tutje, ata na kujtuan se ligji për punësimin e PAK zbatohet pak dhe që dy urdhëresa administrative nuk zbatohen dhe që nuk ndahet asnjë gjobë për këto shkelje.

Kryetari Kurti tha se qeveria e re do të ndihmojë në krijimin e kushteve të përshtatshme që PAK të organizohet sa më mirë dhe të ketë sa më shumë aktivitete. Ai tha se ligjet që sigurojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara duhet të zbatohen në praktikë e jo të mbesin në letër. Transporti publik, rrugët e ndërtesat duhet të ofrojnë qarkullim dhe qasje të lehtë e të papengueshme për persona me aftësi të kufizuara. Punët infrastrukturore publike duhet t’i plotësojnë këto standarde, tha ai. Po ashtu qasja në arsim, në shërbime shëndetësore dhe në punësim duhet të t’iu ofrohet në formën më të lehtësuar. Pa diskriminim e pa dallim do ta rrisim barazinë dhe do ta lehtësojmë integrimin e secilit në shoqëri.

Kontribo