11 12 2019

Takim me një delegacion nga OSBE, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, z. Alessandro Rotta

Sot, nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e Kryesisë z. Arben Vitia dhe z. Kreshnik Ahmeti, pritën në takim delegacionin nga OSBE, të udhëhequr nga përfaqësuesi i Komisionarit të Lartë për Pakicat Kombëtare, z. Alessandro Rotta, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtarja politike kombëtare, znj. Drita Gjeli dhe asistenti z. Miquel Vidal Bover.

Z. Rotta njoftoi zyrtarët e Lëvizjes mbi misionin e Komisionarit të Lartë për Pakica Kombëtare dhe projektet të cilat ka për Republikën e Kosovës. Misioni i përmirësimit të raporteve mes komuniteteve në Kosovë synohet të arrihet nëpërmjet projekteve të edukimit dhe mësimit të gjuhëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Tutje, z. Rotta u interesua për programin e Qeverisë së re të drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në raport me komunitetet pakicë në vend.

Znj. Mulhaxha-Kollçaku e njoftoi delegacionin mbi dialogun e brendshëm të cilin do ta realizojë Qeveria e re, e që do të fillojë që nga java e parë e qeverisjes. Synimi i këtij dialogu do të jetë që të dialogohet mbi çështjet socio-ekonomike të komuniteteve në vend dhe të gjindet zgjidhje për to drejt integrimit të të gjitha komuniteteve. Për mundësitë e këtij dialogu, z. Vitia tregoi përvojën e tij si drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies në Komunën e Prishtinës, ku shumë çështje socio-ekonomike të komuniteteve nuk ishin zgjidhur deri atëherë, për shkak të mungesës së komunikimit dhe mirëbesimit. Z. Ahmeti njoftoi zyrtarët e OSCE se si qeveria e ardhshme do t’i vlerësoj të gjitha marrëveshjet e deritanishme të qeverive të kaluara me Serbinë para se ta fillojë dialogun e ri, i cili për dallim nga e kaluara, do të bazohet mbi parime të qarta dhe raporte reciproke.

Në fund, palët u pajtuan që të mbesin në kontakt edhe më tutje, për t’u njoftuar me zhvillimet e reja dhe për të ndërtuar bashkëpunim të frytshëm drejtë integrimit të të gjitha komuniteteve në vend.

Kontribo