23 12 2019

Takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin Britanik, z. Nicholas Abbott.

Aty u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të tyre me qeverisjen tonë të re. U bisedua edhe për procesin e formimit të koalicionit qeverisës dhe sfidat e mbetura drejt seancës konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor 2019. Kryetari Kurti, si kryeministër i ardhshëm, shprehu interesimin për të bashkëpunuar me qeverinë e re britanike të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit e që do të udhëhiqet nga kryeministri i ri z.Boris Johnson.

Me këtë rast, z. Kurti përkujtoi një pjesë domethënëse të fjalimit të z. Boris Johnson, asokohe Ministër i Punëve të Jashtme, mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 10 nëntor 2016: “Duhet të jetë e pakundërshtueshme të thuash që të gjithë ata që janë fajtorë për krime lufte, nga të gjitha anët, duhet të burgosen. Unë do të them të njëjtën gjë në Beograd, dhe në të gjithë Ballkanin. (…) Dua të shfrytëzoj këtë rast për të ngushëlluar familjen dhe miqtë e Astrit Deharit, i cili së fundi vdiq në paraburgim. Unë miratoj thirrjet e bëra nga të gjitha palët për një hetim transparent mbi vdekjen e tij.”

Kontribo