Takim me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës
Sot, Kryetari Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, anëtarët e kryesisë Arbërie Nagavci e Xhelal Sveçla dhe anëtarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes nga IRDK Elbert Krasniqin, priti në takim përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës, z. Rasim Demir nga Koalicioni Vakat, znj. Emilija Rexhepi nga NDS, znj. Duda Balje, z. Fikrim Damka dhe znj. Fidan Zholta nga KDTP, z. Veton Berisha nga PLE, z. Albert Kinolli nga PREBK, z. Etem Arifi nga PAI dhe z. Adem Hoxha nga JGP.
Në këtë takim, të parin e këtij lloji me këtë përbërje, Kryetari Kurti i njoftoi deputetët e ardhshëm nga komunitetet joshumicë mbi bisedimet e deritashme për arritjen e koalicionit qeverisës LVV-LDK, posaçërisht për zotimin për komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës.
Kryeministri në ardhje i siguroi përfaqësuesit e këtyre komuniteteve për vullnetin e qeverisë së tij, që, në plotni t’i përmbushë pritjet e qytetarëve të vendit tonë për ndryshimin aq shumë të nevojshëm drejt shtetndërtimit e sundimit të ligjit, zhvillimit e krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë dhe pa bërë dallime. Deri te kjo, ai tha se arrihet vetëm duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar hapat dhe në atë drejtim jemi.
Me këtë rast, Kryetari Kurti mori mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve për tejkalimin e problemeve me të cilat qytetarët por edhe komunitetet ballafaqohen, si dhe për realizimin e projekteve të cilat do të përmirësonin cilësinë e jetesës për gjithë qytetarët e Republikës e në veçanti të atyre që kanë më së shumti nevojë.
Pjesëmarrësit u dakorduan që takimet të vazhdohen dhe të shpeshtohen me qëllim të përmbylljes së punëve drejt qeverisë së re dhe përgatitjes për punët e mëdha e të mira të qeverisë sonë të përbashkët.