Të lirohet Nezir Mehmetaj, të ndalet përndjekja e qytetarëve të Kosovës!
Lëvizja VETËVENDOSJE! po e përcjell me shqetësim arrestimin e Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, në kufirin Serbi-Kosovë kur Neziri po kthehej në vendin e vet. Nezir Mehmetaj kishte qenë në Serbi për të shoqëruar nënën e tij në spital në Nish, e veç kur po kthehej bashkë me nënën, e arrestuan.
Nezir Mehmetaj jeton e punon prej shumë vitesh në Zvicër, e është qytetar i Kosovës.
Arrestimi i Nezir Mehmetajt tregon se Serbia vazhdon qëndrimin agresiv ndaj Kosovës, sa herë që ka mundësi. E kjo sjellje duhet të na bëjë të reflektojmë për dy gabime tonat, së pari që përmes pjesëmarrjes në marrëdhënie joreciproke e josimetrike me Serbinë, ne si Kosovë kemi kontribuar në normalizimin e imazhit të një vendi anormal, e së dyti, për gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë në vendin tonë, ku edhe 20 vite pas lufte njerëzit detyrohen të shkojnë për vizita të specializuara në Beograd e Nish, duke marrë përsipër rreziqet e një vendi që zyrtarisht i diskriminon shqiptarët e Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje institucioneve të Kosovës të angazhohen maksimalisht për lirimin e Nezir Mehmetajt. Ne solidarizohemi plotësisht me shqetësimin dhe tronditjen e familjarëve të tij, nga kjo sjellje hakmarrëse nga ana e shtetit që dikur na mbante të pushtuar e që na përndoqi me metoda gjenocidale. Qeveria e re duhet krijuar sa më shpejt edhe për ta ndryshuar këtë raport asimetrik dhe këtë pasivitet diplomatik, që po i lë qytetarët tanë nën kërcënim të vazhdueshëm.