Fjalimi i Kryetarit Albin Kurti dje në Prizren me rastin e Ditës Ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të Holokaustit
I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu,
E nderuara Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Natalia Apostolova,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës z. Haxhi Avdyli, z. Anton Quni, znj. Emilija Redžepi, znj. Duda Balje, z. Hajrulla Çeku e z. Liburn Aliu,
I nderuari Zëvëndës Ambasador Amerikan, Ambasador Gjerman, Ambasador i Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar udhëheqës të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, znj. Ines dhe z. Votim Demiri,
Liderë fetarë,
Të dashur qytetarë të Prizrenit,
Zonja dhe zotërinj,
Sot kujtojmë një ndër tragjeditë më të mëdha njerëzore të shekullit të kaluar. Kujtojmë për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur.
Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Viktimave të Holokaustit e shënuar më datën 27 janar, nga dita e çlirimit të kampit Auschëitz, u caktua nga OKB jo thjesht për të shënuar një datë e për të kujtuar një ngjarje, por për të freskuar kujtesën tonë kolektive se ajo që i ndodhi popullit Hebre nuk duhet përsëritur, se “kurrë nuk duhet harruar” e “kurrë më” nuk duhet të ndodhë.
Fatkeqësisht, në fund të shekullit të kaluar edhe ne në Kosovë e përjetuam një tjetër çmenduri në Evropë. Tendencën për shfarosje etnike, gjenocidin, masakrat e dëbimet masive kundër atyre që flasin ndryshe, duken ndryshe e luten ndryshe, njëherë në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Si popull shqiptar ne i kuptojmë vuajtjet e popullit Hebre. E kuptojmë çfarë do të thotë të mohohet ekzistenca, të përndjekesh në vendin tend – këto i kemi ndjerë në lëkurë e në eshtra e i ndjejmë sa herë i kujtojmë viktimat e masakrave në vendin tonë sikurse Reçaku që e përkujtuam ditë më parë.
Holokausti na kujton se ne duhet të njohim realitetin. Duhet të pranojmë e njohim njëri-tjetrin e jo të mohojmë ekzistencën e tjetrit. Mohimi i ekzistencës është hapi i parë dhe kryesor drejt gjenocidit.
Holokausti na mëson gjithashtu se pajtimit të vërtetë i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, përgjegjësia shtetërore e shoqërore e dëmshpërblimi. Vetëm ashtu bëhet i mundur ndërtimi i paqes së qëndrueshme.
Kur nuk ndodh njohja e realitetit drejtësia vonohet e për më keq se kaq e kaluara tentohet të harrohet e të relativizohet. Agresori sillet si viktimë e në vend se të ofrohet dëmshpërblimi e kërkim falja për viktimat e të zgjatet dora e pajtimit kërkohet kthimi në të kaluarën, e madje bëhen edhe përgatitje për kthim në të kaluarën.
Holokausti na mëson se është pikërisht e kaluara që shërben për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen.
Padrejtësitë e sotme janë pasiguritë e nesërme, andaj nuk mundemi të ndërtojmë një të ardhme duke mohuar faktet.
Ky është mësimi i holokaustit. Që faktet të mos harrohen, që drejtësia të vendoset në mënyrë që historia të mos përsëritet.
Krimet kundër hebrenjëve përgjatë regjimit nazist gjerman kanë shënuar një rend të ri botëror në aspektin e krimeve sistematike të kryera nga shteti. Pikërisht si rezultat i këtyre krimeve bota ka parë gjykimet e Nurembergut – gjatë të cilave për të parën herë në histori individë të caktuar janë mbajtë përgjegjës mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Për të shkuar edhe një hap më tutje, janë pikërisht gjykimet e Nurembergut që kanë shërbyer si model për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që sot gjendet në Hagë, suksesi i së cilës për krimet në ish Jugosllavi ishte i mangët.
Përkundër këtij fakti, të gjithë e dimë që këto gjykime nuk kanë ndihmuar të mbyllen plagët e hapura të viktimave, prandaj krahas me këto gjykime, Gjermania ka bërë çmos që të vendos viktimën në qendër të vëmendjes dhe të adresojë krimet e ndodhura përmes formave të ndryshme. Së pari, duke dokumentuar ato që kanë ndodhur në bazë të dëshmive të marra nga të mbijetuarit dhe familjarët e tyre. Së dyti, duke ndërtuar qindra muze dhe memoriale të ndryshme, të bazuara mbi dëshmitë e marra. Dhe, së treti, duke ndërtuar një sistem masiv të reparacioneve për të mbijetuarit, viktimat direkte dhe viktimat indirekte (reparacione të cilat Gjermania vazhdon t’i paguajë akoma edhe sot).
Kjo tregon se në një shoqëri në tranzicion – pas krimeve masive – nuk mjafton fokusi në vetëm një drejtim. Mbi të gjitha, ajo që është mbase më e rëndësishmja – Gjermania e ka njohur përgjegjësinë e saj mbi krimet e kryera, dhe ndër të tjera konsideron që e ka përgjegjësi të saj për të kujtuar atë që ka ndodhur sepse ajo pjesë e historisë është pjesë e identitetit të saj.
Sot, jemi mbledhur këtu për të shënuar ditën ndërkombëtare të Holokaustit, dhe konsideroj që fokusi kryesor duhet të jetë në faktin se sa të rëndësishme janë mënyrat përmes të cilave ballafaqohemi me të kaluarën. Sa e rëndësishme është mënyra si e dokumentojmë të kaluarën dhe sa i kushtojmë rëndësi asaj. Paramendojeni për një moment sikur Gjermania të mos dokumentonte vit pas viti ato që kanë ndodhur, sot, pas 75 viteve kur shumë gjenerata janë shuar, a do të ishim këtu për të shënuar këtë ditë si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit? A do të kishim ide se çka realisht ka ndodhur?
Nuk ka dyshim që shembulli gjerman është shembull i mirë se si një popull e adreson të shkuarën dhe ballafaqohet më të. Kjo nuk mund të thuhet për rajonin tonë të Ballkanit, e posaçërisht për fqinjin tonë verior.
Marrë parasysh që deri më sot ne kemi bërë fare pak në këtë drejtim, dhe kemi implementuar në vazhdimësi një qasje që nuk e ka viktimën në epiqendër, mbetem me shpresën që mbase në ditë si kjo, kur të mblidhemi për të kujtuar krimet më të tmerrshme të njerëzimit, t’ia kujtojmë vetes që është momenti i fundit që edhe ne të adresojmë ashtu siç duhet krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, pra krimet e luftës por jo vetëm: edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër nesh.
Është me rëndësi ta pranojmë që kujtesa kolektive është e fuqishme, por nëse qëndron e vetme, pa institucionet, pa drejtësi nuk është bazë mjaftueshëm e fortë mbi të cilën duhet ndërtuar historia.
Një autor i njohur thoshte që historia prehet në institucione, pra historia pushon në institucione. Te ne historia nuk po arrin të pushojë e të qetësohet. Ne e kemi historinë të shqetësuar. Kujtesa kolektive duhet të institucionalizohet, kurse drejtësia ligjore të mos vonohet.
Ju falemnderit.