Organizatë në rritje, mbështetje e madhe popullore, tejkalim i sfidave
Organizatë në rritje, mbështetje e madhe popullore, tejkalim i sfidave
Sot u mbajt mbledhja e Qendrave të organizatës sonë, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatori i Qendrave, Valon Hoti.
Në këtë mbledhje të drejtuar nga Vlora Haxhimehmedi, Kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe për masat e ndërmarra dhe ato që parashihen të ndermirën për të ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë. Kryetari po ashtu foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucional që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqërorë të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë ashtu edhe në aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë. Në adresat e saja kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID-19 po vazhdojnë të jenë aktiv. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua Kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje. Vota e deputetëve me 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e Presidentit për të bërë Qeveri të “unitetit” janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj.
Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi.