31 03 2020

Fjala e plotë e Nënkryetares së Kuvendit Arbërie Nagavci pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatë Kushtetuese

Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, të datës 23 mars 2020, të shprehur përmes konferencës për media. Presidenti bëri thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti i vendit vazhdimisht ka promovuar dhe ka shkaktuar shkelje të ndryshme ligjore dhe kushtetuese. Jo rrallë herë nga pozita të ndryshme në institucionet e vendit ai ka qenë autor dhe nxitës i veprimeve antikushtetuese, uzurpimit të kompetencave dhe shpërfilljes së legjislacionit e madje dhe ndarjes së pushteteve.

Nuk është hera e parë pra që Presidenti nxit dhe vepron në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe normat ligjore. Këtë herë ai kreu shkelje serioze të aktit më të lartë, Kushtetutës së vendit duke bërë thirrje për moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojmë shkeljet e Presidentit të Republikës veçanërisht në këtë kohë të vështirë të përballjes me pandeminë dhe kur Qeveria e vendit është duke bërë çmos që të parandalojë përhapjen e COVID-19.

Ndaj sot dorëzuam në Gjykatën kushtetuese këtë kërkesë, pra për shkeljen serioze të Kushtetutës nga ana e Presidentit në thirrjen e paprecedentë për rezistencë, duke kërkuar moszbatimin e vendimit të qeverisë nga organet ligjzbatuese dhe nga qytetarët e vendit.

Kontribo