Dita e Lidhjes
Java e Lëvizjes u hap sot me shënimin e Ditës së Lidhjes. Përveç interesimit të madh të qytetarëve për ta nënshkruar peticionin për zgjedhje të reja, pati edhe interesim të madh për të marrë pjesë në bashkëbisedimin e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Platonë e Lidhjes, për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Prizrenit. Të ftuar për të folur në këtë 142 vjetor, ishin Glauk Konjufca dhe historianja Mrika Limani Myrtaj.
Glauk Konjufca në fjalën hapëse tregoi sesi kemi nevojë jo vetëm ta kujtojmë e festojmë por edhe ta shqyrtojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më së shumti theksoi faktin se përballë projekteve ekspansioniste të fqinjëve në mesin e shek. XIX, intelektualët shqiptarë punuan mbi projektin e gjuhës shqipe si një gjuhë e veçantë e që shënjonte mëvetësinë e një identiteti kulturor të shqiptarëve, ndërsa organizimi politik përgjatë kësaj periudhe bëhej në fshehtësi ku vlen të kujtohet Komiteti i Stambollit, i cili i paraprin organizimit të Lidhjes së Prizrenit.
Studiuesja e historisë, Mrika Limani Myrtaj, parashtroi sesi shqiptarëve u binte të pësonin barrën e degradimit të Perandorisë Osmane në shek. XIX, kjo edhe për faktin se shqiptarët nuk kishin projekte ekspansioniste si fqinjët serb, grek dhe malazez. Në mesin e kësaj gjendjeje dhe pas traktatit të Shën Stefanit shqiptarët u vetëdijesuan se ata dhe trojet e tyre nuk do të mbroheshin prej tjetërkujt nëse nuk do të mbroheshin më së pari prej vetë atyre.
Në këtë bashkëbisedim mori pjesë edhe Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i cili ndau me të pranishmit mendimin se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është kulmi i organizimit politik dhe ushtarak të kombit tonë dhe se prej këtij organizimi mund të mësojmë ende ngase kemi nevojë të bashkohemi si shqiptarë në mënyrë që të krijohet një paqe afatgjate, një siguri për të gjithë dhe një stabilitet i cili nuk është i një rendi të padrejtë.
“Pra ka nevojë për forcim të shqiptarëve, për fuqizim të tyre, jo për inat të ndokujt tjetër, por për hirë të vetes së tyre duke i kontribuar kështu edhe mbarë rajonit”, tha ai.
Në diskutim u rikujtua edhe se Lidhja e Prizrenit përveç se ishte organizim mbarëkombëtarë, ishte edhe mbifetar, duke u bërë kështu simboli i bashkimit të shqiptarëve pavarësisht ndarjeve nga jashtë dhe dallimeve fetare të brendshme. Mbyllja e tij u shoqërua me ndezjen e 142 flakadanëve në muret e kalasë ne nderin e këtij përvjetori. Lidhja është ende gjallë dhe vazhdon të na thërras drejt bashkimit si shqiptarë, për një të ardhme më të mirë, me më shumë paqe, siguri e mirëqenie dhe barazi.