22 06 2020

Takim lamtumirës me ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz

Ditën e sotme, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me zëdhënësin e Lëvizjes, Përparim Kryeziun, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë, László Márkusz, tri javë para përfundimit të mandatit të tij pesë vjeçar. Në takim, Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për punën e tij në Kosovë dhe për bashkëpunimet bilaterale mes Kosovës dhe Hungarisë.

Ndër organizimet ku ambasada Hungareze ka dhënë kontribut të vlefshëm për shkëmbimin kulturor, ekonomik dhe institucional mes dy vendeve janë rritja e dyfishuar në pesë vite e bashkëpunimit tregtar, tanimë në 66 milionë euro dhe organizimet kulturore si Java e Kulturës Hungareze. Vlen të përmendet edhe programi i bursave të financuar nga qeveria hungareze. Së fundi, ky program e ka rritur kuotën e bursave në 70 sosh për studentët e Kosovës dhe ka një rëndësi të madhe për krijimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takim u fol edhe për rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në përhapjen e vlerave të BE-së. Hungaria e ka përkrahur Kosovën në këtë proces.

Në fund të takimit, Kryetari Kurti i uroi kthim të mbarë në vendin e tij ambasadorit Márkusz dhe të dy shprehën interesimin për t’i mirëmbajtur kontaktet.

Kontribo