Përse mos të kalojmë në ofensivë?
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se qasja ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, nuk është qasje as e mirë dhe as e mençur por dobësi. Shtet i fuqishëm është shteti i sofistikuar. Ne ballafaqohemi me shumë barriera për të eksportuar në Serbi, le t’i problematizojmë ato e të kalojmë në ofensivë, mos të mbesim duke arsyetuar tarifën, tha ai.
“Unë besoj se nuk është qasje e mirë dhe as e mençur: ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë. Pra, unë besoj se qëndrimi im, është qëndrimi i duhur për të ecur përpara. Pra, qasja jonë është ajo që praktikisht na ka vendosur në ofensivë. Masat të cilat të vendosin në defensivë ku t’i duhet të shndërrohesh në një kështjellë që mbrohesh ndaj një rrethimi që të vjen rrotull është gabim. Është gabim nga pikëpamja e shtetit. Ka versione shumë më të mençura se si mund t’i arrijmë qëllimet që dëshirojmë – edhe më shumë sesa kjo që është bërë deri më tani. Ju të gjithë e dini që ka shumë probleme për të eksportuar në Serbi, unë jam për t’i problematizuar këto – të kalojmë në ofensivë ku ne problematizojmë pengesat e Serbisë e jo të detyrohemi ta arsyetojmë tarifën tonë. Këtë mund ta bëjmë bashkë, propozuesi i seancës kërkoi unitet, dakord jam. […]Edhe njëherë, ose krejt – ose hiç, ose tash – ose kurrë, është dobësi. Shteti i fuqishëm është shteti i sofistikuar, nuk është i thjeshtë. Gjërat e pabarabarta nuk i trajton në mënyrë të barabartë dhe ne nuk e trajtojmë njësoj si lëndën e parë që mund të na vij nga Serbia për prodhuesit tanë – sikur produktet e gatshme finale që i sjell prodhuesi serb e të cilat hapin vende pune në Serbi. Është padrejtësi nëse këto dy kategori trajtohen njësoj.[…]Unë kam ardhur për qëndrimin e duhur përpara sa i përket tarifës 100%, e ky është që, qeveria e Kosovës e ka shprehë si gjest të vullnetit të mirë ndaj faktorëve ndërkombëtarë pikërisht atë që po na kërkojnë prodhuesit vendor: t’i heqim tarifat për lëndën e parë që iu duhet prodhuesve tanë. Unë po e bëjë një hap të vullnetit të mirë, mandej i takon Serbisë të dëshmohet.[…]Ne jemi duke u përgatitur për sukses, dhe jemi në të drejtën tonë.