18 07 2019

Homazhe për Enver Zymberin.

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga kryetari Albin Kurti, deputetët Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi, Arbërie Nagavci, Shemsi Syla dhe Xhelal Sveçla, si dhe nënkryetari i komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi, nënkryetarja e Qendrës sonë dhe asamblistja Gresa Muli e me aktivistë të tjerë, vizituan familjen e Enver Zymberit dhe bënë homazhe te varri i tij në Dubovc të Vushtrrisë në tetë vjetorin e rënies. Me këtë rast kryetari Kurti deklaroi:

Rënia e Enver Zymberit është rënie për ta ngritur lartë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetërorë të Republikës. Prandaj Kosova, institucionet, politika dhe qytetarët e saj, i kanë shumë borxh këtij polici tonë i cili nuk kurseu asgjë për atë që është e jona, që është e të gjithë neve.

Nuk mund të themi që Enver Zymberi prehet i qetë dhe as që ne jemi të qetë si qytetarë dhe politikanë përderisa drejtësia nuk vihet në vend.

Në njërën anë vrasësit janë të lirë, ndërkaq në anën tjetër veriu ende nuk është plotësisht i integruar, dhe për të dyja këto institucionet, politika dhe shteti ynë nuk duhet të ndalen meqenëse i ka obligim sipas detyrës, i ka borxh sipas moralit njerëzor dhe kombëtarë. Lavdi Enver Zymberit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Kontribo