Mbahet mbledhja e XL e Këshillit të Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XL të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje, u miratuan raportet vjetore dhe u morën disa vendime të rëndësishme.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti shprehu ngushëllime për familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19, duke uruar shërim të shpejtë për të prekurit dhe falënderuar punonjësit shëndetësorë që po bëjnë më të mirën e tyre për të shpëtuar jetët e qytetarëve. Ai po ashtu bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe respektim të masave mbrojtëse.
Në adresimin e tij para delegatëve, Kryetari Kurti foli për rëndësinë e 6 tetorit dhe ngjarjet që pasuan, qeverisjen e mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për vendimmarrjen që tashmë na pret si subjekti i parë në vend.
Në frymën e rezultateve zgjedhore, ai tha se kemi dëshmuar që mund të qeveriset ndershëm e me parime duke respektuar kontratën me qytetarët, që nuk ka vendime të vështira kur ka qëllime të mira dhe që një shtet më i barabartë dhe më i drejtë që kujdeset për të gjithë e sidomos për të varfrit dhe punëtorët është i mundshëm.
“Është e mundur të shpëtohen e rimëkëmbën ndërmarrjet publike. Është i mundur të luftohet korrupsioni e krimi, nepotizmi e shpërdorimi. Është e mundur të anulohen kontratat e dëmshme e të ndalohet gjakderdhja financiare e asfaltit të shtrenjtë në toka bujqësore. Është e mundur që edhe të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë edhe të ndihmohet financiarisht me gjysmë milioni euro Lugina e Preshevës. Është e mundur të fillojmë me vetingun në drejtësi, me institutin për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, me konceptin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe me buxhet për strehimoret që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje.”
Nga e gjithë ajo dëshmi e qeverisjes tonë të mirë, është e vështirë të kthehemi prapa ngase qytetarët e kanë provuar, ju nevojitet dhe e meritojnë, tha ai.
Kurti foli edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në organizatë, për të cilat delegatët e Këshillit të Përgjithshëm votuan që ato të fillojnë me datë 1 shtator.
Ai tha se postet dhe pozitat, rendi dhe hierarkia si në shtet ashtu edhe në organizatë duhet t’i nënshtrohen vullnetit të përgjithshëm qytetarë përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo arbitraritetit individual, duke theksuar se Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë e ka dhënë këtë provë.
“Ne në Lëvizje kemi rregulla dhe procedura demokratike të hapura dhe të verifikuara e me pjesëmarrje të gjerë e të barabartë ku secilit që dëshiron angazhim politik, mbi bazën e vlerave që ne përqafojmë e përfaqësojmë, i garantohet jo vetëm anëtarësimi por edhe hapësira e veprimit dhe e drejta për të zgjedhë e për t’u zgjedhur”, tha ai.
Kryetari Kurti përmendi edhe punën e mirë të deputetëve të Lëvizjes, të Qendrave të saj brenda dhe jashtë vendit që pavarësisht vështirësive në kohë pandemie kanë punuar në peticionin që tashmë ka mbledhur një çerek milioni nënshkrime për zgjedhje të reja, si dhe për shumë anëtarë të rinj që janë anëtarësuar dhe mirëpritur në organizatën tonë.
Kurti foli edhe për matjet e fundit të opinionit publik që e nxjerrin Lëvizjen VETËVENDOSJE! mbi trefishin e mbështetjes krahasuar me vendin e dyte, dhe atë si kryeministër mbi katërfishin e kandidatëve të tjerë.
“Një gjë është tejet interesante në këto sondazhe: mbështetja që kemi te gratë është mbi 55% (krahasuar me burrat 42%), ndërkaq te rinia i afrohemi 2/3 të përkrahjes popullore. Kjo e fundit konfirmon se e kujt është e ardhmja, por e para tregon se çka pritet prej nesh: barazi gjinore, mundësi e drejtësi e pjesëmarrjes për gratë dhe vajzat, në punësim, në pronësi, në pasuri, në udhëheqje.”
Në fund të fjalës së tij, ai tha se me 6 tetor ka ndodhur ndryshimi dhe se nuk ka makinë kohore që na kthen pas.
Qeveria “koti” duhet të shkoj sa më parë e zgjedhjet janë zgjidhja si për shëndetin e qytetarëve ashtu edhe për shëndetin e demokracisë dhe shtetit.
Në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm Delegatët morën këto vendime:
– U shpallën zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të cilat do të fillojnë me 1 shtator.
– U plotësua KZP-ja me dy anëtarë të ri.
– U votua themelimi i 7 Qendrave të reja prej tyre 6 në mërgatë, dhe Qendra në Maqedoninë e Veriut.
– U miratua anëtarësimi në Rrjetin Politik Rinor.
Në këtë mbledhje të XL, u sollën në diskutim këto raporte:
– Raporti vjetor i shpenzimeve për vitin 2019.
– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretariatit të Përgjithshëm.
– Raporti vjetor për vitin 2019 i Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë.
– Raporti vjetor për vitin 2019 i Grupit Parlamentar.
– Raporti vjetor për vitin 2019 nga pesë komunat ku jemi në bashkëqeverisje.