Modeli i ri qeverisjes – zhvillim i ri për Prishtinën
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me ekipin qeverisës, prezantuan sot raportin e punës të 100 ditëve të para të qeverisjes në Komunën e Prishtinës. Puna gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, paraqet rrugën në të cilën niset një qeverisje e re, dhe rrugën të cilën ajo do ta ndjek në 4 vitet e mandatit.
Gjatë këtyre 100 ditëve, kemi instaluar një model të ri të qeverisjes për gjithë Republikën e Kosovës. Kjo mendësi e re e trajton ndryshe postin publik, paranë publike dhe qasjen ndaj qytetarit.
Për ne, qeverisja nënkupton shërbim. Ne jemi shërbyes ndaj qytetarëve, i shërbejmë interesit publik. Jemi këtu që ta ruajmë interesin e Komunës dhe ta rrisim vlerën e Komunës.
Kemi zhvilluar me mijëra takime me qytetarë, nëpër të gjitha drejtoritë e i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve, edhe pse i kemi pasur mbi 75 mijë të tilla, që kanë kërkuar shërbime të ndryshme nga Komuna.
Shumë qytetarë na janë falënderuar, për shkak të trajtimit të barabartë që po ia bën tani Komuna e Prishtinës. Kryetari i Komunës dhe drejtorët e drejtorive janë Kryetar dhe drejtorë të të gjithë qytetarëve të Prishtinës. E kjo barabarësi, përveç që vërehet në takimet që kemi me secilin prej tyre pa dallim, vërehet edhe tek mënyra e punësimit.
Qasja ndaj postit publik dhe parasë publike, është tërësisht tjetër në këto 100 ditë. Komuna na takon të gjithë neve. Kemi bërë transparente të gjitha vendimet, do t’i bëjmë transparente të gjitha raportet buxhetore. Buxheti është i qytetarëve të Prishtinës, dhe iu takon atyre, prandaj ne e kemi për detyrë ta menaxhojmë, ta ruajmë, e ta shpërndajmë në mënyrë të drejtë e të barabartë.
Takimet që kanë kërkuar bizneset individualisht, për të diskutuar për tenderë të caktuar, nuk i kemi mbajtur. Nuk ka nevojë për takime të tilla. Ata që duan të punojnë drejt dhe mirë, e kanë Komunën mbështetësin më të madh. Ata që duan të punojnë mbrapshtë, e kanë Komunën armikun më të madh. Kurdo që ka tender, ose do t’i takojmë të gjitha bizneset e interesuara përnjëherë dhe do ta diskutojmë tenderin, ose nuk do ta takojmë asnjërin.
Në këtë 100 ditësh, po e instalojmë rendin dhe ligjin në Komunën e Prishtinës. Në fillim na thoshin se “nuk do të mund t’i ndalni ndërtimet pa leje”, tani po na thonë se “i keni ndalur shumë ndërtimet pa leje”. Prishtina nuk do të rregullohet pa u instaluar ky rend dhe ligj.
Në këtë mënyrë, kemi ndërtuar dhe forcuar institucionin, dhe kështu do t’i forcojmë edhe marrëdhëniet institucionale. Nuk hezitojmë t’i shkruajmë secilit zyrtar publik, në secilin institucion publik, nga cilido subjekt që është, gjithnjë në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Prishtinës, duke forcuar kështu komunikimin institucional, e jo takimet joformale prapaskenave. Kështu ka ndodhur edhe me lëndët e dorëzuara në prokurori, ku të gjitha kanë qenë publike, me ç’rast është ngritur edhe presioni publik mbi prokurorinë që të veprojë më shpejt.
Për këto 100 ditë kemi vendosur themele të shëndosha. Por, kjo nuk përbën vetëkënaqësi, ngase ka hapësirë për t’u përmirësuar.
Ne do të mbajmë ritëm të e lartë e dinamikën do ta shtojmë, duke u angazhuar edhe më shumë, për të realizuar projekte të ndryshme që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.
Me këtë rast, falënderojmë mediat dhe shoqërinë civile, për monitorimin e përditshëm, për pyetjet e përditshme, për presionin e vazhdueshëm, duke na ndihmuar kështu në gjetjen e defekteve dhe problemeve të shumta të qytetit, me ç’rast reagimi jonë ka qenë më i shpejtë në përmirësimin e tyre.
Në vegezën më poshtë mund ta gjeni raportin e plotë të 100 ditëve të para të qeverisjes së re në Komunën e Prishtinës, ku përfshihen:
çështja e ujit; transparenca radikale; lufta ndaj sjelljeve korruptive; ndalimi i parregullsive dhe jokonformiteteve; planifikimi urban; largimi i luksit nga qeverisja komunale; infrastruktura; përfshirja në vendimmarrje; përmirësimi i cilësisë në shërbimet mjekësore; ngritja e mirëqenies sociale; Prishtina e të gjithë qytetarëve; Komuna në shërbim të qytetarëve; dinamika e re e bashkëpunimit; si dhe qasja e lehtë dhe e barabartë në aktivitetet kulturore publike.
—
Komuna e Prishtinës
Zyra për Marrëdhënie me Publikun