RTK – RADIO TELEVIZIONI I KUNATAVE
Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës i mbuluar me petkun e mediumit publik të paanshëm dhe neutral në raport me qëndrimet e subjekteve politike, në fakt e ka vendosur këtë institucion në mesin e institucioneve të kapura nga PDK-ja që ishte në pushtet deri tash.
Radio Televizioni i Kosovës duke qenë medium publik do të duhej të ishte zëri i qytetarëve dhe të zhvillonte politika mediale në shërbim të interesit të përgjithshëm. Por drejtuesit e tij, statusin e të qenit publik në fakt po e përdorin si maskë për të mbuluar shërbimet që në vazhdimësi ua bëjnë interesave private të pushtetarëve.
Kështu, kur flasim për dëmet që Kosovës ia shkaktoi Qeveria e Hashim Thaçit, për gjendjen e mjerë ekonomike, politike dhe sociale në Kosovë, nuk kemi se si të mos flasim edhe për politikën e ndjekur nga menaxhmenti i RTK-në që vazhdimisht u përpoq të injektojë vetëm rrëfimin qeveritar, duke e paraqitur situatën në Kosovë si normale, veprimet e pushtetit të Thaçit si historike, dhe grevat e protestat si të pandodhura. Kjo padyshim që u shoqërua nga sulmet për opozitën qytetare dhe politike, padyshim përmes manipulimit të opinionit.
Drejtuesit e RTK, pra pjesa udhëheqëse që përcakton politikat e saj redaktoriale, mori pjesë drejtpërdrejtë në krijimin e kësaj gjendjeje të mjerë që kemi sot. Nga një institucion që do të duhej të vendoste madje standarde në komunikim e gazetari si dhe cilësi në programacion, ajo u kujdes në vazhdimësi që të parandalonte çdo kritikë dhe pakënaqësi qytetare duke përdorur kështu teknika dhe praktika të manipulimit e të deformimit të informacionit mbi ngjarjet politike, shoqërore e ekonomike në vend.
Për të shpjeguar më hollësisht këtë kapje të RTK-së nga pushteti, nuk ka nevojë për kushedi çfarë analize. Një shqyrtim i thjeshtë i individëve udhëheqës në menaxhmentin e këtij mediumi, dhe lidhjeve të tyre me udhëheqësit e PDK-së, i fakton qartë konkludimet e mësipërme.
Për këto arsye dhe për plotë të tjera që tashmë janë bërë publike në opinionin publik nga të gjitha palët që janë të shqetësuara për gjendjen në RTK, ne sot organizuam një aksion simbolik ku paraqitëm lidhjet nepotike brenda këtij institucioni. Frashër Krasniqi i cili u deklarua për media pas vendosjes së banerit në rrethojat e ndërtesës ku gjendet menaxhmenti i RTK-së tha midis të tjerash se lidhjet e këtyre punësimeve me pushtetin e PDK-së, kabinetin e Hashim Thaçit, kryeministrit në ikje, janë evidente dhe numëroi disa prej tyre.
RTK-ja ka ardhur deri në këtë gjendje ngase u vendos nën diktatin e plotë të familjarëve dhe të afërmve e krerëve të PDK-së:
– Mentor Shala, drejtori aktual i këtij mediumi, sikurse edhe paraardhësi i tij, janë njerëz shumë të afërt të Hashim Thaçit dhe Hajderin Kuçit. OJQ-të fantazma, të këtij personi dhe të gruas së tij Ramize Murtezi – Shala, kanë marrë fonde ekskluzive nga Qeveria e Thaçit.
– Mustafë Mustafa, pronari i lokalit të uzurpuar Zanzi Bar, që është militant i PDK-së, është personi kryesor në RTK për administratë dhe financa, dhe përmes tij realizohen të gjitha punësimet.
– Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, Bekim Haxhiu (Kamishi), Shaip Muja, Vlora Çitaku, Xhevahire Izmaku, Azem Syla, Abelard Tahiri – të gjithë këta zyrtarë të PDK-së, i kanë punësuar dhe vendosur në pozita shumë të rëndësishme në RTK, kunatat, vëllezërit, gratë, motrat, miqt, mbesat dhe militantët e tyre.
Çlirimi i shtetit tonë nga kapja që ia ka bërë PDK-ja, që të jetë i plotë, nënkupton edhe çlirimin e RTK-së nga njerëzit e pushtetit që kanë zënë rrënjë aty. Kjo edhe do të ndodhë.
11 shtator 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!