22 10 2014

Zgjidhja sipas qytetarëve

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot tubim me qytetarët e Prishtinës me temën “Zgjidhja sipas qytetarëve”, ku temë ishte situata politike e krijuar në vend. Në këtë tubim folën Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, si dhe Koordinatori i Qendrës së Prishtinës, Ylli Hoxha. Gjatë tubimit drejtuesit e VETËVENDOSJE!-s shpjeguan në detaje se çfarë ka ndodhur në këtë periudhë bashkë me pasojat politike. Përveç dy folësve, e gatshme për t’u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve ishte edhe deputetja Puhie Demaku. Tubimin e hapi Koordinatori i Qendrës së Prishtinës, Ylli Hoxha, i cili tha se kanë kaluar mbi katër muaj nga zgjedhjet dhe që nga atëherë po tentohen të krijohen institucionet demokratike. “Tash e katër muaj ne thamë se nuk do të ketë Qeveri Thaçi 3, dhe kjo përpjekje ka shënuar frutet e saja të para. Gjatë gjithë kësaj kohe u mbajt uniteti me subjektet tjera politike, gjë që në fillim dukej e paparamendueshme. Tash, kemi pamundësi të PDK-së që të menaxhojë me këtë vend”, tha ndër të tjera Hoxha, duke shtuar se ky tubim është thirrur për të marrë ide nga qytetarët për hapat e radhës që duhet ndërmarrë, dhe se tubimet e tilla do të vazhdojnë sërisht edhe në Prishtinë, por edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Pas tij, fjalën e mori Kryetari Albin Kurti. Ai tha se kjo periudhë paraqet kohën që ia ka dhuruar Gjykata Kushtetuese PDK-së, mirëpo kjo ishte një dhuratë e papërdorshme për PDK-në. Thjesht, askush s’do që të bashkëpunojë s’e lëre më të hyjë në koalicion me PDK-në, tha ai.

“Në Kosovë nuk kemi ngërç institucional por shtet të kapur i cili po e pengon shumicën parlamentare që t’i formojë institucionet e reja. Koalicioni LDK-AAK-Nisma nuk është bllok por PDK-ja po e bllokon shumicën parlamentare”, tha Kurti.

Ai ndër të tjera tha se PDK-ja nuk i ka as ligjin e as kushtetutën në anën e vet, por i ka tre njerëz: Enver Hasanin, Flora Brovinën por edhe Atifete Jahjagën. “Përderisa kryesuesja Brovina sipas moshës në këtë detyrë zyrtare, na thoshte që nuk ka vazhdim të seancës konstituive pa marrëveshje me PDK-në, presidentja Jahjaga zuri të thoshte se praktikisht pa marrëveshje edhe me PDK-në ajo i ka nja dy mënyra për të na çuar në zgjedhje të reja. Kosova sot nuk ka nevojë për zgjedhje të reja por për qeverisjen e shumicës parlamentare. Zgjedhjet e reja nuk kanë kurrfarë baze ligjore e kushtetuese. Ndonëse qëndrimi ynë është i mirënjohur se jemi të gatshëm për zgjedhje si Lëvizje dhe se fjalën përfundimtare për pjesëmarrje në zgjedhje e thotë Këshilli i Përgjithshëm i organizatës sonë”, theksoi Kurti, duke shtuar se Kosova nuk është as monaki parlamentare dhe as republikë presidenciale. Kosova është republikë parlamentare në të cilën kuvendi e ka zgjedhur Presidenten dhe ajo s’mund ta shpërndajë apo shpërbëjë as kuvendin e as deputetët.

” Ne i thamë Presidentes që, në situatën e krijuar, mbeten vetëm dy rrugë: Kuvendi i Kosovës ose Zanzi bari. Por, ajo ishte orvatur që zgjidhjen ta gjejë në Hamam…E në Hamam nuk ka zgjidhje”, u shpreh Kurti. Ai më tej tha se në shumicën parlamentare janë dy marrëveshje: njëra e 10 qershorit dhe tjetra e 10 shtatorit. “Në këtë marrëveshjen e dytë është edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ajo marrëveshje është thelbësore meqenëse përmbajtja e saj i korrespodon një kursi të ri shtetëror të Kosovës. Në këtë marrëveshje që i ka 8 pika përshkruhet rruga e re për Republikën tonë”, tha Kurti përderisa shpjegonte në detaje të tetë pikat e kësaj marrëveshjeje.

“Vetëm PDK-ja e din se sa shumë humb kur humb ajo, se sa shumë humb kur bie nga pushteti. Vetëm se arsyeja pse ata s’e paramendojnë dot opozitën është sepse e dinë që kur shkon përfundimisht Qeveria e tyre, atëherë çlirohen gjyqësia, prokuroria dhe policia e shtetit. Ata nuk duan të ndodhë ky çlirim që i robëron ata. Shteti i së drejtës është saktësisht e kundërta e shtetit të kapur. Për gjendjen e tanishme politike mund të thuhet që Thaçi është dëmi që po e ndërprejmë ndërkaq shumica parlamentare është shansi që nuk bën të humbet. Qeveria e tij ka qenë forcë centrifugale në shtetndërtim. Shumica është forca centripetale në Republikë”, shtoi në fund Kurti.

Në këtë tubim qytetarët e patën mundësinë që të diskutojnë, të bëjnë pyetje dhe të japin ide për zgjidhjen e mundshme drejt krijimit të institucioneve të reja, jo vetëm për nga emri, por për nga politika që do ndjekin dhe qasja që do të kenë ato institucione ndaj shtetit dhe qytetarëve. PDK-ja kohëve të fundit është zbrapsur. Dikur thoshin i kemi numrat, tash po kërkojnë kompromis. Thoshin që qeveria është e jona, tash thërrasin për qeveri gjithpërfshirëse. Pra, Thaçi është dëmi që po e ndërprejme,ndërkaq shumica parlamentare është shanci që nuk duhet humbur. Nuk ka si të ndodh ndryshe, për shkak se qeveria e PDK-së dhe qeverisjet e PDK-së kanë qenë forcë centrifugale në shtetndërtim, kurse pikërisht shumica parlamentare është forca centripetale në Republikë.

22 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo